Real Madrid marshon në La Liga dhe diferenca me Barcelonën mbetet katër pikë, kur kanë mbetur edhe dy ndeshje. Madrilenëve u mjafton vetëm një pikë, për të ngritur titullin kampion. Skuadra e Zinedine Zidane fitoi 1-2 kundër Granada dhe e zgjidhi shpejt gjithçka. Për 6 minuta, Mendy dhe Benzema shënuan dy gola të shpejtë. Vendasit shënuan me Machis në pjesën e dytë, por nuk e vuri në rrezik fitoren e Real Madrid.
SFIDAT NË ANGLI E ITALI – Manchester United është ndalur pas katër fitores radhazi në kampionat. “Djajtë e kuq” prisnin në shtëpi një skuadër si Southampton, që në ndeshjet jashtë ka treguar se di t’i hapë probleme kujtdo. Madje në takimin e sotëm shënoi i pari me Armstrong, pas një gabimi që lojtarët e United bënë.
Gjithsesi Rashford dhe Martial ia dolën të shënojnë dy gola për 10 minuta dhe e përmbysën rezultatin. United u mundua të shënonte edhe golin e qetësisë, por pa sukses. Me lojën e hapur, Southampton besoi dhe në minutën e gjashtë shtesë shënuan me Obafemi golin që bëri skuadrat të ndanin nga një pikë, falë barazimit 2-2.
Zhvendosemi në Itali, aty ku Interi ka gjetur fitoren kundër skuadrës së Torino. Zikaltrit dhuruan një gol në minutat e para, pasi Handanovic gaboi dhe Belotti shënoi. Miqtë e ruajtën epërsinë në pjesën e parë, por në të dytën Interi kishte një marsh tjetër.
Ashley Young dhe Diego Godin përmbysën rezultatin për tre minuta, ndërsa golin tjetër e shënoi Lautaro Martinez dhe i dha fund kësaj ndeshjeje, që u mbyll me rezultatin e përgjithshëm 3-1. /abcnews.al