Fiorentina po tenton të bëjë një ndryshim befasues në pankinë. Beppe Iachini nuk do të konfirmohet si trajner dhe klubi nga Firence po mendon ta zëvendësojë me Daniele De Rossin. Gianluca Di Marzio raporton skenarin e mundshëm që po intrigon drejtuesit e klubit viola.
Presidenti Commisso e kërkoi verën e kaluar ish-kapitenin e Romës dhe ishte afër akordit, por telefonata e Boca Juniors nuk mund të refuzohej nga 36-vjeçari. Fiorentina e kërkon sërish, tashmë në postin e trajnerit. De Rossi i dha fund karrierës në muajin janar dhe ka bërë publike dëshirën e tij për të nisur karrierën e trajnerit.
Gjithçka mund të nisë në “Artemio Franchi” dhe Fiorentina është një opsion fantastik për të. Nëse palët arrijnë akordin, De Rossi do të bëhej trajner i Franck Ribery, i cili është 37 vjeç, një vit më i madh se romanisti. /abcnews.al