Nuk e dinte se kishte futur gjarprin në gji, ndaj Hekuran Billa shkoi me këmbët e veta drejt vdekjes.
40 minuta para se të ekzekutohej, ai foli në telefon me të dashurën e tij Adiola Lakra, me të cilën prej ishte njohur prej gati një viti, që kur kishte lënë qelitë e burgut në Fushë-Krujë.
I la një pikëtakimi në zonën e “Komunës së Parisit”, pa e ditur se aty nuk do e prisnin sytë e shkruar të së dashurës, por breshëria e një automatiku me silenciator.
Biseda e fundit e përfituar nga celulari i viktimës, ishte pikërisht telefonata që Billa kishte me vajzën 26 vjeçare, 40 minuta para se të ekzekutohej.
Ky fakt, po e bindte policinë se personi që e kishte nxjerrë në pritë 40 vjeçarin Billa, ishte pikërisht një femër.
Adiola u arrestua të premten në mëngjes.
Me argumentin për të bashkëpunuar me hetuesit për të zbardhur motivet e krimit, oficerët e policisë e morën atë sërisht në pyetje. E reja ka treguar se me Hekuran Billën kishte gati një vit që ishte njohur në Instagram dhe se mbrëmjen e 11 qershorit ai i kishte kërkuar për ta takuar në zonën e “Komunës së Parisit”.
Njëkohësisht, vajza ka pranuar edhe lidhjen që kishte me Sebastian Malin, 22 vjeçari që ndodhet në arrest, i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasje.
Lakra mohon t’i ketë dhënë ndihmë të dashurit të saj për të vrarë hasmin, edhe pse dëshmitë e së resë janë kontradiktore.
Por si ra policia në gjurmët e saj? Një nga punonjësit e servisit në Laprakë, ku Mali kishte shkuar për të lënë mjetin “Nissan” të marrë me qira dhe të merrte “Smart-in”, ka deklaruar se ka qenë nën shoqërinë e një vajze.
Fillimisht, policia pyeti të dashurën e tij, e cila i tha hetuesve se me Sebastianin ishte takuar rreth orës 13 të 11 qershorit, dhe më pas takimi tjetër ishte bërë më 14 qershor.
Por bisedat e shumta telefonike që Mali kishte pasur me Adiola Lakrën, bënë që ta mbanin edhe këtë të fundit nën vëzhgim.
Një javë më parë, thanë burimet, kohë që përkon me arrestimin e Sebastian Malit dhe dajës së tij Viktor Markut, vajza kishte mbyllur rrjetet sociale, si dhe kishte ndërruar numrin e celularit.
E pyetur për këtë fakt, Lakra është shprehur se nuk e mbante mend numrin e mëparshëm me të cilin kishte folur edhe Sebastian Malin. /abcnews.al