Juventusi vuajti vetëm në pjesën e parë, por ia doli të siguronte fitoren e radhës në kampionat. Bardhezinjtë prisnin në shtëpi Leccen e vendit të tretë nga fundit dhe fituan 4-0.
Sfida u bë më e lehtë për djemtë e Sarrit pas ndëshkimit me të kuqe të Lucionit në minutën e 32-të. Mbrojtësi mik gaboi dy herë, në kontrollin e topit dhe faullin e kryer si lojtar i fundit. Kryesori i tregoi të kuqen dhe miqtë mbeten shumë herët me një lojtar më pak.
Cristiano Ronaldo dhe Bernardeschi humbën dy raste të pabesueshme pas këtij episodi dhe pjesa e parë u mbyll pa gola. Pushimi i bëri mirë Juventusit, që zgjidhi gjithçka brenda tetë minutave. Paulo Dybala realizoi një gol shumë të bukur në minutën e 53-të.
Rrjeta e nëntë në kampionat për argjentinasin, ndërsa te goli shkoi edhe CR7. Ylli portugez nuk gaboi nga pika e bardhë dhe gjeti golin e 23-të në Serie A për këtë sezon. Ciro Immobile është vetëm katër gola larg, ndërsa “Zonja e Vjetër” i largohet me 7 pikë Lazios ndjekëse (luan nesër përballë Fiorentinës).
Në fund pati festë edhe për Gonzalo Higuain e Matthijs De Ligt. Pipita gjeti golin pas një asisti fantastik me finte të Ronaldos, ndërsa mbrojtësi holandez realizoi me kokë pas krosit të Douglas Costës. /abcnews.al
Juventus-Lecce 4-0
(Dybala 53′, Ronaldo (pen) 61′, Higuain 84′, De Ligt 86′)

