Ilir Daja dhe Vejlko Dovedan, trajnerët e Skënderbeut dhe Bylisit, folën pas ndeshjes çerekfinale të Kupës së Shqipërisë për Supersport. Fillimisht, foli numri një i stolit ballshiot: “Dita më e bukur si trajner i Bylisit? Është e vërtetë që kjo është dita me e lumtur dhe më e bukur që nga koha kur jam te Bylisi.
E kemi marrë shumë seriozisht Skënderbeun në të gjitha ndeshjet me ta, pasi është një skuadër e madhe dhe kanë lojtarë shumë të mirë. Mua si trajner te Bylisi më mban puna e trajnerit që bëj te kjo skuadër, nuk më mban Kapllanaj”, u shpreh Dovedan.
Ndërsa Ilir Daja, nuk e fshehu zhgënjimin për këtë eliminim nga Kupa: “ Më mirë të kishte dhënë nja 8 kartonë në ndeshjen e kampionatit dhe të mos na dëmtohej Meksi. Goli i Bylisit ishte faull, duken takat lartë. Nuk më pëlqen që të legjitimohet një vendim që u mor i drejtë.
Nëse nuk është penallti nuk është penallti, ndaç të kthehet në minutën e parë apo në minutën e 4-t. Në këtë ndeshje ishim futur për të përmbysur rezultatin në ndeshjen e parë. Kishim shanset tona për ta dyfishuar rezultatin. Ky është futbolli. Me një krah të djathtë të boshatisur me Jashanicën në stol, djemtë dhanë nota pozitive. Jam i kënaqur nga ajo çfarë pashë në fushën e lojës.
Na jepte siguri më të madhe rezultati 2-0. Kundërshtari do të linte hapësira mbrapa. Në stol ishim të gatshëm të ndërhynim të rifreskonim ekipin mbrapa. Nuk na buzëqeshi suksesi me finalizimet, ne ia bëmë yzmetin. Do të fokusohemi në kampionat.
Gjithë ekipet do të kenë oshilacione. Një ndërprerje aq e gjatë do të ndikojë në oshilacione. Nuk kemi bërë keq as në ndeshjen e kampionatit me Bylisin, edhe pse nuk e kuptova çfarë ishte betejë apo futboll. Mundet edhe të humbasësh kur nuk flitet për futboll.
Do të vazhdojmë përpara se në fund kemi paraqitur një vazhdimësi. Nuk na ka vënë asnjëri në vështirësi mbi minutën e 70-të. Jemi një ekip që jemi të dërmuar për momentin, gjej rastin të përgëzoj futbollistët. Duhet të vazhdojmë me të njëjtën mënyrë dhe në fund të bëjmë llogaritë.
Anulimi i 11-metërshit? Unë do të përshëndesja rikthimin e asaj që nuk ishte penallti. Nuk e di se kush e fshehu vendimin. Nëse nuk është një gjë e drejtë do ta pranoja. Pashë në fushën e lojës që arbitri i katërt debatonte me kryesorin. Nuk e di si u bë me VAR apo jo. Po them që u rikthye me të drejtë. Po të kishte ndërhyrë anësori te goli i Bylisit, do flisnim për një rezultat tjetër”, u shpreh Daja./abcnews.al