Në sheshin “Skënderbej” është mbajtur këtë mesditë një tjetër aktivitet nga PDIU në kudër të 76 vjetorit të genocidit grek, cilësuar si “Java çame”.
Në një prononcim për mediat kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi u shpreh se gjatë javës do të kenë të tjera aktivitet. Mes të tjerash ai nënvizoi se sot kishin organizuar një protestë para ambasadës greke, por nuk u lejuan nga policia për shkak të pandemisë.
Po ashtu, Idrizi bën me dije se në 27 qershor do të zhvillojnë homazhe te varrezat e Kllogjërit në nder të 3 mijë viktimave çame.
“Këtë javë kemi organizuar më shumë aktivitete. Më vjen keq sepse sot ishte programuar dhe një protestë para ambasadës greke, por na u anulua nga policia shqiptare, duke shfrytëzuar faktin e pandemisë. Në 27 qershor ne do të organizojmë homazhe në varrezat e Kllogjërit për 3 mijë shqiptarë të Camërisë që vdiqën në atë zonë. Është e turpshme që kemi marrë një refuzim edhe në varrezat e Kllogjërit, por unë po u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të Çamërisë, po i bëj thirrje të gjithë shqiptarëve që të vijnë dhe të nderojnë. Asgjë s’mund të na pengojë. Ne do të vazhdojmë duke filluar nga nesër të denoncojmë dhe protestojmë për mendjelehtësi në rastin më të mirë, për tradhti kombëtare ë rastin me të keq me atë që po ndodh dhe që po tentohet të ndodhë me një VKM të qeverisë shqiptare. Ku mjafton që 1% e njerëzve në zonë të pranojnë që janë në minoritet dhe ajo zonë kthehet automatikisht në dy gjuhësh. E kemi denoncuar që në ligjin për minoritetet, ku Shqipëria doli çuditërisht me 9 minoriteteve”, u shpreh Idrizi. /abcnews.al