“Jonuz dezertor, Jorgji dhe FSHF të kërkojnë falje! Laver Alla na shante në Bilisht”

schedule08:40 - 23 Qershor, 2020

schedule 08:40 - 23 Qershor, 2020

Arbitrat dhe Mirsad Jonuz në shënjestër. Ish-trajneri i Vllaznisë është etiketuar si dezertor nga trajneri i kombëtares së femrave, Armir Grima. Ky i fundit, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, thekson se Vllaznia duhet të kishte hequr me kohë Jonuz.

“Atë që bëri Jonuz, besoj se e bën vetëm një dezertor. Megjithatë nuk i vë faj, sepse klubi duhet ta kishte larguar para pandemisë. Ishte një trajner që e la Vllazninë në rënie të lirë para, gjatë dhe pas pandemisë”, shprehet Grima mes të tjerash.

 

Në të njëjtën gazetë ka folur edhe kapiteni i Vllaznisë, Gilman Lika, i cili e ka me Enea Jorgjin dhe FSHF-në. E gjitha për shkak të gjykimit në ndeshjen Tirana-Vllaznia, ku shkodranëve iu mohua një penallti. “Gjykimi në atë takim dhe direkt Enea Jorgi ndikuan në rezultat.

Nëse ajo që ndodhi ishte një gabim, atëherë më e pakta që mund të bëjë Enea dhe vetë Federata është që t’i kërkojnë falje Vllaznisë dhe gjithë Shkodrës për dëmin e madh që u shkaktua. Po t’i ndodhte një skuadre tjetër, do ishin mbledhur 100 herë në federatë. Jam i bindur për këtë. Sa duket Vllazninë e trajtojnë ndryshe”.

 

Sadik Cela

Për arbitrimin ka ankesa edhe në Bilisht, ku Devolli u mund nga Elbasani. Sadik Çela tregon çfarë i ka ndodhur me arbitrin Laver Alla, i cili sipas futbollistit i ka ofenduar ata dhe madje u ka thënë se Elbasani do të fitonte me çdo kusht.

“Alla na shante para syve, na thoshte ‘kokërr b******’. I thamë si flet kështu, ti je arbitër. Nuk më intereson fare thoshte. E shava edhe unë nga nervat, i thashë të më nxirrte me karton të kuq. Nuk ma jepte dhe thoshte nuk je aq trim sa të të jap të kuq. Na thoshte se kot që lodheshim në fushë, sepse do fitonte Elbasani. Këto gjëra ndodhin në futbollin shqiptar”. /abcnews.al