Zv.ministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli ka deklaruar në emisionin “Provokacija” se rritja e shifrave pas hapjes ishte e pritshme, ndaj kjo ishte arsyeja pse u zgjat gjendja e fatkeqësisë natyrore.
Rakacolli u shpreh se mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga virusi është respektimi i masave për sa kohë nuk ka ende një mjekim specifik.
“E prisnim të kishim rritje të numrave sepse është normale sepse pas një mbyllje të tillë mekanike hapja do sillte rritje. Kjo ishte arsyeja pse kërkuam zgjatje të fatkeqësisë natyrore.
Në fazën e parë patëm bashkëpunim me qytetarët. Çelësi i suksesit ishte se qytetarët ndoqën rekomandimet që ne dhamë. Ndërsa pas javës së parë filluan edhe grumbullimet dhe u largua frika se çdo gjë po shkon normalisht .
Rekomandimet që kanë qenë edhe nga shkencëtarët janë bërë nga eksperiencat e tjera. Ne kemi mësuar se ky është një virus ngjitës, rezistent, akoma nuk ka një mjekim specifik dhe mënyra më e mirë për t’u mbrojtur prej tij është pengesa mekanike, barriera, maska distanca. Sidomos në momentin e hapjes maskën duhet ta vendosin.
Duke parë në televizor atë që po ndodhte në Itali ne u frikësuam. Këtu u bënë dhe festa, bajrami dhe pashkët ndërsa në Itali njerëzit festuan në shtëpitë e tyre. Qasja atje ka qenë më e kujdesshme për shkak se kishin kaluar një situatë më të rëndë.
Kjo ka të bëjë me anën personale, se si jemi mësuar ta përjetojmë një situatë. Ka artikuj që thonë se virusi në verë do të fashitet. Virusi është i panjohur. Akoma nuk dihet asgjë me saktësi. Kjo ka të bëjë me burimet e informacionit sepse konkluzionet dalin më vonë dhe duhet diçka që të provojë idetë”, tha Rakacolli.
Rakacolli tha se 50% e pacientëve të prekur kanë qenë asimptomatikë, ndërsa një pjesë tjetër me simptoma të lehta. Ajo tha se gjendja e pacientëve të shtruar në spital që nuk janë në terapi intensive është relativisht e mirë.
“Pjesa e pacientëve që nuk janë në terapi intensive janë në gjendje relativisht të mirë. Kanë nevojë për kujdes spitalor. Numrat për momentin nuk janë dramatikë, janë të pritshëm dhe në varësi të këtyre indikatorëve dalim në përfundim se nuk janë shifra të rrezikshme.
Një pjesë e njerëzve janë asimptomatikë. Rreth 50% janë asimptomatikë. Një pjesë tjetër janë me simptoma të lehta. Ata persona që kanë pneumoni kanë nevojë për kujdes spitalor.
Virusi nuk prek vetëm mushkëritë, por edhe trombozat që shfaqet edhe tek të rinjtë”, tha Rakacolli./abcnews.al