E ftuar në studion e Abc News pedagogia e Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Edlira Gjoni foli për debatet e shkaktuara për testin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Fillimisht Gjoni u ndal tek pyetja që i çoroditi të gjithë, jo vetëm maturantët, atë të Turit. Sipas saj, nëse e ktheje në anglisht e gjeje shpejt se ishte alternativa “D” e saktë, por në shqip ishte shumë vështirë.
Gjoni thekson se testi është pakthyer nga modele të huaja me shumë gabime.
“Unë e ktheva në anglisht dhe ishte përgjigja D. Por në shqip ishte shumë e vështirë. Ky nuk është një testim për shqipen. Ky është një test që është marrë nga modelet e ngjashme. Ngërçi këtu është se ti po teston gjuhën shqipe. Ky tekst ka 20 gabime të stilistikës, 12 janë të kuqe”, tha ajo.
LEXO EDHE: Testi i Letërsisë, çudit QSHA: “Turin” e futëm kastile, të shihnim nëse do e zbulonit
Më tej, për deklaratën e sotme të QSHA, e cila tha se testi i Gjuhës shqipe dhe letërsisë nuk ka dalë jashtë programit orientues (pra është në pajtueshmëri të plotë me të) dhe nuk ka gabime shkencore, Gjoni u shpreh se vetë deklarata e QSHA është me gabime.
Nisur nga kjo, pedagogia shton se QSHA duhet të kërkonte ndjesë për minimin që i është bërë gjuhës shqipe.
“Kalojmë te QSHA. Vërtet ka një gabim të vetëm dhe është ndërtuar në mënyrë të tillë? Edhe deputetët në Parlament e dallojnë këtë që është gabim. Së pari është gabim logjik, sepse është minim që i bëhet gjuhës shqipe. E para, duhet të kërkosh ndjesë për tekstin me gabime. Nëse këta njerëz pretendojnë se janë mbledhur sot me mësues të gjuhës shqipe, kush janë këta 20 persona se duhet të kenë emra. Dhe pse nuk janë shefat e katedrave të gjuhës shqipe?
Ky tekst ka gabime vetë. Deklarata e QSHA ka gabim vetë. Ke përsëritur tre herë se ky tekst s’ka dalë nga plani orientues, por kjo nuk është pretendim për maturantët. Ministria dhe QSHA kanë interes të thonë çfarë shkonte mire. Në vend që të dalin dhe të kërkojnë falje se është tekst me gabime. Është shkelje, nuk është një apo dy gabime, dhe nuk është te ato të qëllimshmet. Ka në çdo faqe gabime. Të dalësh me një deklaratë të sotme dhe të mbrosh këto, do të thotë se na keni mësuar gabim”, u shpreh Gjoni. /abcnews.al