Zëvendësministrja e Arsimit: Kemi adresuar problematikat, përgatituni për testin e radhës

schedule19:53 - 13 Qershor, 2020

schedule 19:53 - 13 Qershor, 2020

Zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë  Nina Guga i është drejtuar me anë të një video-mesazhi maturantëve që ditët e fundit kanë protestuar mbi shqetësimet e ngritura në provimin e gjuhës shqipe dhe letërsisë të Maturës Shtetërore.

“Si një ish-drejtore gjimnazi që kam qenë shumë afër jush dhe kemi ndarë e zgjidhur bashkë situata të ndryshme dhe sot në cilësinë e zëvendësministres, ju siguroj se problematikat që ju keni sjellë në lidhje me testin janë adresuar në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, e cila do të analizojë në grup ekspertësh dhe do të bëjë njoftim publik për gjetjet”,  u shpreh Guga.

Për sa i përket “cut-off”-it, Zëvendësministrja Guga nënvizon se ai nuk negociohet me nxënësit, por nëse rezulton se testi ka qenë i vështirë, ai do të lëvizë për gjithë.

“Nëse testi rezulton të ketë qenë kaq i vështirë sa shumë nxënës nuk kanë arritur ta realizojnë, ky cut-off do të lëvizë për të gjithë. Por, siç ju ka shpjeguar Qendra e Shërbimeve Arsimore, kjo bëhet në fund, kur analizohen rezultatet”.

Në lidhje me provimin e radhës, matematikën, Guga cilëson se ai do të zgjasë 2 orë e 30 minuta.

“Korrigjimi i testit në mënyrë digjitale është nje korrigjim jo-subjektiv dhe transparent që shmang çfarëdo gabimi të mundshëm dhe jep një rezultat më të shpejtë në kohë”, tha ndër të tjera Zëvendësministrja.

Guga i bëri thirrje dashamirëse të gjithë maturantëve që të shfrytëzojnë kohën për t’u përgatitur për provimet e radhës dhe të çlirohen nga shqetësimet e këtyre ditëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!