Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, foli menjëherë pas humbjes së skuadrës së tij 1-0 në Ballsh, përballë Bylisit. Në fjalën e tij për Supersport, Daja analizoi ndeshjen, foli për kualifikimin, si dhe tregoi se rotacioni, ndikoi.
NDESHJA – “E dinim që do të kishim një ndeshje të vështirë, sepse nga mënyra se si luan Bylisi, na i vështirësoi gjërat. Ishim të detyruar të bënim rotacion që të shmangnim dëmtimet. Ishte ndeshja e tretë me të njëjtin kontingjent dhe nuk mund të vazhdonim. Nuk më shqetëson pësimi i golit, pasi kemi dhe 90 minuta të tjera. Ajo që më shqetëson është prishja e ekuilibrave pas pësimit të golit. Prishëm serinë e fitoreve, por besoj se kemi dhe një mundësi tjetër”.
KUALIFIKIMI – “Bylis ka bërë një hap për t’u kualifikuar, pasi rezultati 1-0 favorizon ata. Nëse shënojnë në fushën tonë, do e kemi të vështirë. Specifika që ka Kupa, është e tillë. Ekipi nuk duhet zhbalancuar, ekipi duhet të marrë përgjegjësi. Besoj se kjo ishte gjëja që nuk bëmë mirë, si dhe dyluftimet nuk i kishim në nivelin e duhur”.
ROTACIONI – “Kemi përdorur dy ndeshje radhazi të njëjtin formacion. Kemi pasur 5 zëvendësime, por kemi bërë vetëm një. Jo se nuk kemi besim te lojtarët e rinj, por ajo që duhet të bëjnë lojtarët, është të mos prishin ekuilibrin. Kishim mangësi në manovër, por gjithsesi duhet të fitojmë sa më shumë futbollistë, pasi do të na duhen të gjithë”, u shpreh Daja./abcnews.al