Ardian Çapja ka lënë Spitalin e Traumës, për të shkuar në banesën e tij, në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan.
Vetëm 2 ditë më parë Capja iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale pas atentatit që iu bë në banesën e tij.
Ky ishte atentati i 3 ndaj tij, dhe këtë herë plumbi atë e kapi në shpatull.
Më parë 55-vjeçari i ka shpëtuar edhe atentateve në gusht dhe dhjetor të vitit 2017-ës. Familjarët e tij tentuan që të fshihnin ngjarjen, duke thënë se Çapja ishte rrëzuar në banesë por ishte Policia e Shtetit ajo që sqaroi rrethanat e ngjarjes.
LEXO edhe: Atentat në Elbasan, plagoset Ardian Capja. Gjendet një makinë e djegur
Kujtojmë se konflikti i fisit Çapja në Elbasan është i hershëm dhe daton që prej vitit 2005.
Konfliktet e fisit Çapja me familjet Mema dhe Çela janë të hershme që në fund të viteve 90’, por kulmin e arritën kur në vitin 2005 mbeti i vrarë në një atentat vëllai i Ardjan Çapjas, Sokol Çapja.
Ndërkohë edhe Ardjan Çapja është emër i njohur për drejtësinë dhe i akuzuar si organizator i disa atentateve me motiv hakmarrjen.
Më 3 shkurt 2016 u vranë tre pjesëtarë të kësaj familjeje, kurse Florenc Çapja i shpëtoi një atentati të ndodhur në qershor 2016, ku mbeti i plagosur shoku i tij, Bledar Muça, me të cilin po udhëtonte në një makinë.
LEXO edhe: Atentati ndaj Ardjan Çapjas, Hoxha: Kush mund të realizojë qitje nga 250 m distancë
Ndër vite, familja Çapja është akuzuar si e përfshirë në ngjarje kriminale, por edhe ka qenë pre e tyre.
Gjithçka ka nisur në vitin 2005, ku Sokol Çapja u përfshi në konflikt me ish-kreun e Qarkullimit Rrugor në Elbasan, Fadil Mema.
Pas kësaj ngjarjeje mbeti i vrarë Sokol Çapja dhe si autorë u akuzuan nipat e oficerit të Policisë. Kjo pasoi me vrasjen e kunatit të Memës, Ardian Ibrahimi, në maj 2006.
Në vitin 2012, Gentian Beqiri, një nga të akuzuarit për vrasjen e Sokol Çapjes, u ekzekutua, ndërsa ishte lënë në arrest shtëpie.
Ndërsa në mars 2015, në Torino të Italisë, u ekzekutua Fadil Mema.
Më pas, në shkurt 2016, mbetën të vrarë Agron Çapja, nipi i tij Ardit Sinakoli dhe Eno Bedalli, ndërsa mes tetë të plagosurve ishte dhe Florenc Çapja.
Në qershor 2016, Ardian Çapja, Florenc Çapja dhe Bledar Muça u arrestuan për sulm ndaj disa efektivëve civilë të Policisë pasi u dyshuan se do të kryenin atentat ndaj tyre./abcnews.al