Gjuhëtari Emil Lafe i ftuar në “Provokacija”, është shprehur se gjuha është gjithmonë në zhvillim. Ai është shprehur se gjuhëtarët shqiptarë gjithmonë kanë qenë të përmbajtur dhe nuk kanë bërë shpikje përsa i përket gjuhës.
Sipas tij studiuesit e gjuhës synim kryesor kanë pasur pastrimin e gjuhës shqipe.
Profesori ka theksuar se shumë vite më parë kanë hartuar një ligj për gjuhën por që nuk u miratua kurrë dhe ka ngelur në sirtarët e Kuvendit.
“Kemi hartuar ligjin unë kam qenë dora e parë për hartimin e tij dhe e kaluam në diskutime në akademinë e shkencave me kolegë dhe ja përcollëm me shkresën përkatëse kryesisë së Kuvendit dhe na thirrën më pas dhe bënë relacion, por ligji mbeti në sirtarët e kryetarit të atëhershëm të kuvendit Servet Pëllumbi. Suksesi do të ishte që të fusim në kushtetutë si një ndër pikat që është se shteti mbron gjuhën, ku krahas tij do të ishte dhe ligji për gjuhën. Pati dhe tentative që theksonin se njerëzit do të censurohen në mënyrën e të folurit, por janë deklarata dashakeqëse, pasi ligji kishte të bënte me rregullat e drejtshkrimit në televizion dhe në shkresat e ndryshme të institucioneve të larta shtetërore. Gjuha është gjithmonë në zhvillim” është shprehur Lafe.
Ndër të tjera profesori ka theksuar se drejtshkrimi i gjuhës shqipe nuk ka nevojë për reformë por thjesht për rregullime të vogla.
“Drejtshkrimi i gjuhës shqipe ka nevojë për të mbushur ndonjë gropës apo sheshuar ndonjë thep, nuk ka nevojë për reformë. Drejtshkrimi që kemi ka ndjekur një proces ndryshimi që në hartimin e drejtshkrimit të parë. Drejtshkrimi i vitit 1972 që ishte përpunim i projektit të 1967 ka kaluar disa faza dhe i ka themelet e forta”, është shprehur ai.
Gjithashtu profesori Lafe ka theksuar se sipas tij gjuha shqipe nuk do të ketë shumë ndryshime në të ardhmen./abcnews.al