Policia ka publikuar detaje nga operacioni “blic” për arrestimin e Ervis Dakës në Elbasan, lajm i publikuar mëngjesin e sotëm në abcnews.al.
Sipas policisë, në shtëpinë e të riut janë kapur tre armë zjarri, specifikisht dy pistoleta, njëra me silenciator dhe një automatik tip kallashnikov.
Krahas armëve, në shtëpinë e Dakës është kapur një sasi municionesh si edhe një jelek anti-plumb.
“Në kuadër të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. D. 33 vjeç, banues në lagjen Shënkoll, Elbasan, Policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh, konkretisht: një kallashnikov, dy pistoleta (njëra prej tyre me silenciator ), 170 fishekë dhe një jelek antiplumb.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete dhe dy telefona celularë”, bën me dije policia.
Kjo e fundit dyshon se armët janë përdorur në ngjarje kriminale dhe pritet bërja e ekspertizës për të vërtetuar apo hedhur poshtë dyshimet e policisë.
Njoftimi i plotë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Shënkoll”.
Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan dhe Forcat Speciale RENEA, për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.
Sekuestrohen tri armë zjarri, silenciator, municion luftarak dhe jelek antiplumb.
Vihet në pranga 1 person me precedent të theksuar kriminal në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe krimeve ndaj personit.
Në kuadër të zbatimit të planit të masave për kontrollin e personave me precedent dhe të dyshuar për armëmbajtje pa leje, bazuar edhe në informacionet e marra në rrugë operative, strukturat e DVP Elbasan, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Shënkoll”.
Në kuadër të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. D. 33 vjeç, banues në lagjen Shënkoll, Elbasan, Policia gjeti dhe sekuestroi një arsenal armësh, konkretisht: një kallashnikov, dy pistoleta (njëra prej tyre me silenciator ), 170 fishekë dhe një jelek antiplumb.
Gjithashtu, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjete dhe dy telefona celularë.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. D., për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme. /abcnews.al