Shqipëria U21 pëson një humbje turpi në Sllovaki

schedule11:40 - 28 Mars, 2018

schedule 11:40 - 28 Mars, 2018

Rezultate të kundërta për ekipet e 21-vjeçarëve të Shqipërisë dhe Kosovës. Kuqezinjtë pësuan një humbje të turpshme, ndërsa të rinjtë nga Kosova morën një rezultat prestigjioz.

Ishte mbrëmje e shqiptarëve, por jo e atyre të Shqipërisë.

Ekipi ynë Shpresa pësoi një humbje të rëndë, 1-4, në fushën e Sllovakisë, pikërisht në mbrëmjen kur Kosova U21 mori një barazim prestigjioz ndaj Gjermanisë së madhe.

Të besuarit e trajnerit Bushi, padyshim të dobësuar nga mungesat e shumta për dëmtime dhe marrje lojtarësh nga kombëtarja, nuk mundën ta përballonin Sllovakinë thuajse për asnjë moment, dhe u detyruan të dorëzohen pa kushte.

Kjo disfatë, pas asaj 2-3 pësuar në takimin e parë me sllovakët në Tiranë, e bën ekipin tonë thuajse pa shpresë për të synuar finalet e Europianit.

Në pjesë e parë u pësuan dy gola me autorë Haraslinin dhe Mrazin, ndërsa rrjeta e Rej Manajt sikur dha pak shpresë.

Gjithsesi, Sllovakia mbylli llogaritë në vetëm 4 minuta, nga e 71-ta në të 74-ën, duke realizuar edhe dy herë të tjera, me anë të Sipçakut dhe sërish të Mrazit.

Shqipëria U21 ka vetëm 6 pikë në 7 ndeshje, duke qenë në vendin e parafundit në grupin 2 eleminator, plot 6 pikë larg vendit të dytë që të jep shpresë për në plej of.

E kundërt paraqitja e 21-vjeçarëve të Kosovës.

Edhe pse nën presion të madh, ata përballuan kundërshtarin e lavdishëm në stadiumin “Adem Jashari” të Mitrovicës, duke e mbyllur 0-0 ndeshjen e tyre eleminatore.

Dy herë kampionët e Europës patën iniciativën, por nuk e thyen dot mbrojtjen vendase.

Kosova U21 është e katërta në grup me 8 pikë në 8 ndeshje, ndërsa Gjermania mban kreun e grupit.

Nëse në Mitrovicë pati festë, dita e shqiptarëve të Shqipërisë u bë plotësisht negative nga humbja e kombëtares U19 në miqësoren ndaj Kazakistanit.

Miqtë shënuan në minutën e katërt shtesë, ndërsa dy ekipet ndanë nga një fitore në dy miqësoret e luajtura këto ditë./abcnews.al