Vendimi i Agim Ismailit për të izoluar 5 anëtarë të grupit Avdylaj dhe italianin Giovani di Cosimo është rrëzuar nga gjyqtarja e çështjes, e cila pasi është njohur me provat ku duket përplasja e të burgosurve me gardianët e policisë, ka vendosur ta hedhë poshtë atë.
Abc News ka siguruar dosjen ku janë regjistruar bisedat ku banda e Avdylajve ka kërcënuar gardianët e burgut duke shpërthyer në ofendime ndaj tyre.
‘Ka për t’ju q*robt, do t’ju zhduk, e degjeneru o legena. Do t’ju vrasim e presim ju që po na ngacmoni… nuk kontrolli dot Avdylajt ju’’, janë disa nga kërcënimet e bandës së Avdylajve e dënuar për trafik dhe prodhim të lëndëve narkotike.
“Ty të njoh se më ke shoqëruar për vizitë në spital, madje më ke bërë edhe foto. Të njohim mirë ty, o Shpëtim!! Ç’të duhet ty me na kontrollu? Kush e paska dhënë këtë urdhër? Ke për shiku këtë punë, se cfarë kemi për të bërë.
Të njohim, do të vrasim, do të qërojmë, do të heqim qafe. Për 10 ditë unë jam jashtë! Mbaje mend fytyrën time! Do të takohemi” shprehen Avdylajt sipas bisedave të publikuara në dosjen që i ka mbërritur gjykatës në datë 23 Maj.
Palët në fjalë u përplasën me policinë për shkak të një celulari që u gjet në qeli, gjë e cila duket edhe në pamjet e dosjes së gjykatës. Të paraburgosurit, kanë fikur dritat në kundërshtim me rregullat, duke shtyrë me forcë punonjësit e policisë, ndërsa kanë pretenduar se celulari i përkiste një pastruesi në institucionin e burgut. /abcnews.al/