Pasojat ekonomike të pandemisë mund të shkaktojë një rritje të numrit të fëmijëve në kushte të varfërisë familjare deri në 86 milionë më shumë deri në fund të vitit 2020, me një rritje prej 15%, sipas një studimi të ri të publikuar nga organizata ”Save the Children”.
Studimi tregon se pa veprime të menjëhershme për të mbrojtur familjet nga vështirësitë financiare të shkaktuara nga pandemia, numri i përgjithshëm i fëmijëve që jetojnë nën varfëri ekstreme në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme mund të arrijë në 672 milionë deri në fund të vitit.
Gati dy të tretat e atyre fëmijëve në përgjithësi jetojnë në Afrikë dhe Azinë e Jugut. Sidoqoftë, rritja e nxitur nga pandemitë pritet të ndodhë kryesisht në Europë dhe Azinë Qendrore, sipas studimit, i cili bazohet në parashikimet e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të dhënave të popullsisë nga rreth 100 vende.
“Shkalla dhe thellësia e vështirësive financiare mes familjeve kërcënon të hedh poshtë vitet e përparimit në zvogëlimin e varfërisë së fëmijëve dhe t’i lënë fëmijët të privuar nga shërbimet thelbësore,” citohet të ketë thënë drejtori ekzekutiv i UNICEF Henrietta Fore në deklaratë. Nëse veprojmë menjëherë, “ne mund të parandalojmë dhe të përmbajmë kërcënimin pandemik me të cilin përballen vendet më të varfra dhe disa nga fëmijët më të prekshëm”, shtoi shefja e Save the Children Inger Ashing.
Të dy organizatat u bëjnë thirrje qeverive të zgjerojnë me shpejtësi sistemet e tyre të sigurimeve shoqërore dhe të financojnë shkollat për të kufizuar efektet e pandemisë.
Ndërkohë, Organizata Ndërkombëtare e Punës ka paralajmëruar se në të gjithë globin të rinjtë po goditen më shumë nga vala e shkaktuar nga kriza e Covid-19.
Në një raport të botuar të mërkurën, organizata me qendër në Gjenevë zbuloi se një në gjashtë nga ata që ishin anketuar nga 18 deri në 29 vjeç të cilët kishin qenë në punë para se të fillonte pandemia, thanë që ishin pushuar nga puna pasi filloi pandemia.
“Teksa shërohemi nga pandemia, shumë të rinj do të lihen pas dore.” tha shefi i ILO-së, Guy Ryder./abcnews.al