Prokuroria nis hetimet ndaj Kurtit, Sveçlës dhe Abazit për hyrje në dhomën e përgjimeve

schedule14:53 - 28 Maj, 2020

schedule 14:53 - 28 Maj, 2020

Prokuroria Speciale në Kosovë ka nisur hetimet, pas deklaratës së mbrëmshme të presidenti të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministrin Haki Abazi dhe ushtruesin e detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në PTK dhe se aty kanë ndalur kamerat për tri ditë.

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu ka theksuar se tashmë prokuroria e shtetit është në fazën e grumbullimit të informatave për të vërtetuar nëse ekzistojnë elementet e veprës penale, që ndiqet sipas detyrës zyrtare.

Thaçi ndër të tjera ka theksuar se Kurti, Abazi dhe Sveçla duhet të përballen me drejtësinë, pasi që nuk kanë të drejtë të hyjnë në dhomën e përgjimeve.

“Pse ky grup ka shkuar në dhomën e përgjimeve dhe kanë ndalë kamerat për tri ditë. Çka kërkon kryeministri në dhomën e përgjimeve? Kjo është vepër penale. Ata duhet të përballen me drejtësinë, pasi kanë bërë vepra shumë të këqija. Kanë ndalur kamerat duke bërë shkelje penale. Nuk ka dyshim këtu”, ka thënë Thaçi.

Menjëherë pas Thaçit ka reaguar edhe Albin Kurti, i cili ka theksuar se deklaratat e presidentit janë gënjeshtra dhe se me to duhet të merret Prokuroria.

“Ato janë gënjeshtra, janë shpifje. Problemi me gënjeshtarët është që nuk mund të gënjejnë njëherë, duhet të gënjejnë përditë, madje disa herë në ditë. Të gjitha ato shpifje për neve nuk besoj se duhej të ishin vetëm pyetjet e juaja për mua por edhe pyetjet e prokurorit të shtetit për presidentin”, ka thënë Kurti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!