Ish-sulmuesi i Interit, Diego Milito, ka rikujtuar kohën e tij tek zikaltrit. Në një letër të hapur, që më pas është postuar në faqen e Interit, argjentinasi shprehet i lumtur se është pjesë e historisë së klubit, si dhe kujton tripletën e famshme të 2010.
”Nuk do t’i harroj kurrë ato dy golat kundër Bayernit në “Bernabeu”. Pasi fituam Champions-in, mora menjëherë djalin tim, Leandron në krahë dhe bëra një xhiro rreth fushës. Tashmë ai është 12 vjeç, luan me Racing, madje është dhe mëngjerash. Sigurisht është dhe një tifoz i çmendur i Interit”, shkruan Milito në letër.
”Të fitoja Champions League ishte ëndrra ime. Siç pritën tifozët e Racing trofeun e Copa Libertadores për 35 vjet, ashtu pritën dhe interistët për Championsin 45 vite me radhë. Isha shumë i lumtur, madje dhe tani që e mendoj se çfarë kemi arritur ndihem krenar. Suksesi jonë do të kujtohet gjithmonë dhe është pjesë e historisë së Interit, për këtë jam i lumtur”, deklaron argjentinasi. /abcnews.al