Alexis Sanchez la Arsenalin në janarin e vitit 2018 dhe u transferua te Manchester United, aty ku u bë lojtari më i paguar i skuadrës. Aventura në “Old Trafford” nuk shkoi aspak mirë për sulmuesin latin. Formë jo e mirë dhe shumë qëndrime në stol.
Lojtari dhe Jose Mourinho nuk ndërtuan asnjë moment një raport të mirë mes tyre. 31-vjeçari humbi besimin te vetja dhe nuk la gjurmë te “Djajtë e Kuq”, për t’u huazuar verën e kaluar tek Interi. Sanchez analizon për BBC se çfarë nuk shkoi te United, duke e lidhur dështimin e tij me trajnerin portugez.
“Unë shpreh gjithmonë mendimin tim dhe i them gjërat sikur janë. Mourinho është një nga trajnerët më të mirë në botë për mënyrën sesi stërvit skuadrën, si studion videot e ndeshjeve dhe si kujdeset për detajet.
Por te Manchester United kishte raste që nuk luaja. Më pas u riktheva të luaj, pastaj trajneri më la sërish jashtë. Kjo ndikoi që të humbisja besimin te vetja. Çdo futbollisti i ulet besimi në raste të tilla. Në skuadër ishte krijuar një atmosferë aspak e shëndetshme.
Kishte raste kur luaja mirë, shënoja ndonjë gol, por Mourinho më ulte përsëri në stol. Luaj futboll prej moshës 5-vjeçare dhe nëse më heqin topin, është njësoj si të humbas lumturinë dhe gëzimin. Unë jam gatuar në këtë mënyrë“, deklaron sulmuesi nga Kili. /abcnews.al