Gazetari Alfred Lela ka deklaruar në emisionin “Provokacija” në Abc News se deklarata e bërë sot nga kryeministri duke mohuar dhunën e efektivëve të policisë, e ka “dhunuar” atë për së dyti.
Lela tha se ka dëgjuar se në protestë kishte edhe mercenarë dhe jo të gjithë personat e veshur si policë ishin efektivë policie.
“Kryeministri më dhunoi për së dyti me ato pallavra që nxori nga goja. Të thuash se policët po kalonin në trupin e gazetarit për të kapur ata që po prishnin rendin. Nuk e di mund ta thoshte ai, Erdogani dhe Trump. Kam dëgjuar që aty ka pas edhe mercenarë”, tha Lela.
Ai kujtoi momentet e dhunës, por veçoi edhe një moment të veçantë, nga një efektiv policie me një sjellje mjaft njerëzore që tentoi t’i lironte prangën që po e shtrëngonte rrugës për në komisariat.
“Kam qëndruar para teatrit për disa minuta dhe më kanë parë aq shumë policë sa besoj se njëri prej tyre do më ketë njohur. Nëse do isha shoqëruar në mënyrën e duhur nuk do mund të bëja asnjë ankimim.
Kalimi im u mor si cenim i hapësirës policore. Sikur të më kishin marrë në mënyrë civile unë nuk do ankohesha. Nuk është parë një pjesë e dhunës sepse ata krijuan një lloj tunel. Ai që më mbante këmbën në qafë po godiste pas koke.
Policët më mbajtën aty dhe nuk po gjenin dot prangat. Kur ika në Komisariat, një polic, një djalë i ri e pa që më ishin shtrënguar dhe deshi të më lironte prangën. Prandaj them se blutë nuk janë të gjithë si ata”, deklaroi ai./abcnews.al