Në një intervistë për Abc News, publicistja Arlinda Çausholli këshilloi se gjuha politike nuk duhet të jetë e egër në këtë periudhë.
Referuar situatës, ajo tha termat që përdoren si “paga e luftës, jemi në luftë”, mund të zëvendësohen fare mirë me nocione të tjera, pasi ngjallin frikë.
“Me shumë respekt, unë respektoj çdo punë që është bërë, për të përballuar këtë pandemi. Por unë mendoj se një lider duhet të zgjedhë në kohë krize empatinë. Duhet të zgjedhë gjuhën e butë, që tjetri të shkojë në të njëjtën kohë edhe i fortë, por edhe me kujdes. Është shumë e rëndësishme kjo. Paga e luftës, mund të zëvendësohej me “paga e emergjencës”, ka shumë mënyra. “Paga e luftës”, fëmijët e dëgjojnë cdo ditë, nocionin luftë. Është shumë e rëndësishme që të zëvendëosjmë disa nocione që të vrasin veshin dhe të bëjnë dëm.
Frika nuk na çon gjëkundi. Është gjithmonë shkatërruese. Frika nuk është aspak çfarë i duhet këtij populli. Njerëzve u duhet zgjedhja e duhur e fjalëve, sepse riprodhohen në media. Është shumë e rëndësishme fjala e butë.
Unë mendoj se gjatë gjithë kësaj periudhe do jetë tranzitore. Unë besoj se do përqafohemi prap. Por do mësojmë se ka një ritëm tjetër që të bën më të butë, më të mirë dhe më të afërt me tjetrin”, tha Çausholli.
Më tej publicistja shtoi se kjo ka qenë një periudhë e vështiurë, ku izolimi në shtëpi ka rritur edhe dhunën.
“E vetmja gjë që unë do të doja është që të ketë njëfarë statistike për rastet e dhunës që kanë qenë gjatë kësaj periudhe, qoftë për fëmijët apo për gratë. Nuk e di sesa media i është përkushtuar këtyre rasteve. Duhet të jetë një alarm i madh për njerëzit që kanë qëndruar të mbyllur, por nuk kanë qenë në gjendje të kërkojnë ndihmë’, deklaroi publicistja, e cila foli edhe për projektin e saj “Fit For Future”, me nxënësit dhe mësuesit.
Duke iu referuar rastit të djeshëm, ku disa policia dhunuan një adoleshent, publicistja theksoi se duhet të jemi të kujdesshëm që në këtë periudhë të mos mbjellim dhunë.
“Ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos mbjellim dhunë. Nëse në këtë periudhë po mbollëm dhunë ne do e kemi dëmin të pariparueshëm. Shumica e njerëzve që presin këtë pagën e emergjencës, që presin edhe të përqafohen, automatikisht ti duhet ta heqësh veprimin dhe fjalën dhunë sepse dëmi do të jetë i pariparueshëm. Duhet një këshill etik, që kush është fjalori i ditës së sotme. Është strategji. Ne do ta mbajmë mend se është periudhë unike, por duhet të shërbejë që ne të mbjellim gjëra që na vlejnë”, deklaroi ajo. /abcnews.al