Qytetarët rezidentë në Itali të mbetur në Shqipëri pas mbylljes së kufijve, së shpejti do të mund të udhëtojnë përmes trageteve.
Kompanitë e Trageteve në Durrës kanë njoftuar se do të nisin udhëtimet me traget për të gjithë ata qytetarë me shtetësi italiane ose shqiptarë që kanë leje qëndrimi në Shqipëri.
Në njoftim thuhet se udhëtimet do të kryhen vetëm në linjën Durrës-Bari.
“Së shpejti të gjithë pasagjerët me nënshtetësi italiane ose me leje qëndrimi në Itali mund të udhëtojnë vetëm nga Durrësi në Bari”, përfundon njoftimi.
Pas këtij njoftimi Autoriteti Portual Durrës ka reaguar duke përngënjeshtuar kompaninë.
“Drejtoria e Përgjthshme Detare dhe Autoriteti Portual Durrës, sqarojnë se:
Lajmi i komunikuar ditën e sotme në mënyrë të njëanshme nga Kompania e trageteve “Ventouris Ferries” lidhur me rikthimin e trafikut të pasagjerëve me Italinë, NUK ËSHTË I VËRTETË!
Transporti detar për PASAGJERËT nga dhe drejt Italisë mbetet ende i pezulluar deri në një urdhër të dytë të Autoriteteve shqiptare dhe italiane!
I kërkojmë kompanive private që operojnë në hapësirën portuale, sikundër dhe mediave, të mos shpërndajnë njoftime të paverifikuara në rrugë zyrtare, sidomos në situatën në të cilën ndodhemi! Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për këtë situatë!”, thuhet ne reagimin e tij.
Mbetet ende e paqartë se kur do të nisin riatdhesimet përmes ujit. Tragetet ndërprenë lundrimet në datë 10 Mars, një ditë pas shfaqjes së rastit të parë me koronavirus në Shqipëri./abcnews.al