Kryeministri në Detyre i Kosovës Albin Kurti këtë të hënë është futur në vetëizolim, pasi një anëtar i kabinetit të tij ka pasur kontakt me një të infektuar me koronavirus.
Kurti përmes një postimi në Facebook shkruan se një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE) ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalur pozitiv në testin për COVID-19.
“Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin. Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në MIE e ZKM, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetizolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga MIE”, shkruan ai.
Kurti ka shkruar se do t’i kryejnë punët nga largësia me përkushtimin e njejtë.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë,
Sot është dita e parë kur nuk do të dal në punë në Kryeministri (ZKM). Një zyrtar i Ministrisë së Integrimeve Evropiane (MIE) ka pasur kontakt të ngushtë me një nga personat e dalur pozitiv në testin për COVID-19. Janë marrë mostrat dhe po presim rezultatin.
Unë kam pasur kontakt me të, sikurse edhe punonjës të tjerë në MIE e ZKM, ndonëse gjithnjë duke respektuar rregullat për distancën fizike. Nga sot jam në vetizolim në banesë gjersa të dalin rezultatet e testimit për zyrtarin nga MIE.
Do t’i kryejmë detyrat nga largësia me përkushtimin e njëjtë, do t’i marrim vendimet e duhura me përgjegjësinë e njëjtë. /abcnews.al