Ernest Gjoka u ul në stolin e Shkëndijës së Tetovës 8 tetorin e kaluar. Aventura e parë jashtë futbollit shqiptar për 50-vjeçarin, që ka drejtuar më parë Kukësin, Vllazninë, Kamzën, Flamurtarin, Tomorin dhe Apoloninë.
Gjoka ka krahasuar kampionatin shqiptar me atë të Maqedonisë së Veriut dhe zbulon trofeun që i ka shijuar më shumë në “Fan Zone” në Supersport, arty ku flet edhe për Partizanin e ndërhyrjet e presidentëve.
MAQEDONIA E VERIUT – “Këtu nuk është një kampionat i thjeshtë, përkundrazi është shumë i vështirë. Shkëndija nuk është si në sezonet e kaluara dhe kemi pasur shumë probleme. Po përpiqemi të rikthejmë Shkëndijën fitimtare, por këtë sezon e shikojmë shumë të vështirë”.
KRAHASIMI – “Për hir të së vërtetës, janë të ndryshme. Në Shqipëri kampionati ka infrastrukturë më të mirë dhe më shumë bukuri, ndërsa në Maqedoni ka më shumë lojtarë të mirë individualisht”.
TROFETË – “Trofetë shijojnë të gjithë njësoj, sidomos kur vijnë pas një mundi dhe pune të madhe, por unë do të veçoja Kupën e Shqipërisë të fituar me Flamurtarin, që ishte trofeu im i parë si trajner”.
PARTIZANI – “Partizani është një ekip elitar dhe nëse do vinte një ofertë pse jo. Në punën tonë ndodh gjithçka dhe nëse rrugët tona bashkohen, pse jo”.
TRAJNERI MË FITUES – “Nuk e di se sa kanë fituar të tjerët, ndaj nuk të konfirmoj dot këtë. Mund të them që unë kam pranuar çdo lloj projekti, edhe në klube jo elitare, në aspektin ekonomik të paktën”.
NDËRHYRJET – “Ndërhyrje jo, por ndonjë sugjerim nga presidentët edhe kam pasur. Gjici, përshembull, donte të dinte formacionin gjithmonë një ditë para, ndërsa Gjika bënte sugjerime për Sefën që e kishte shumë qejf”. /abcnews.al