Plagosje me armë zjarri në burgun e Peqinit. Nga të shtënat ka mbetur i plagosur një punonjës i këtij burgu ndërkohë që është arrestuar autori. Ai eshte identifikuar si Gazment Kaseja, 35 vjeç.
Një punonjësi i burgut të Peqinit është plagosur pasditen e sotme.
Burime për ABC News njoftojnë se mbeti i plagosur instruktori i qenëve Idajet Paja, 41 vjeç.
Mësohet se Paja ka qenë në shoqërinë e dy punonjësve të tjerë të këtij burgu, brenda rrethimit të institucionit, kur papritur është qëlluar me armë zjarri.
Bëhet me dije se Kaseja ka qëlluar në ajër me kallashnikov, të paktën kjo është ajo që raporton policia në njoftimin e saj.
Më tej në njoftimin e policisë thuhet se ditën e sotme rreth orës 19:40 është lënduar nga një plumb qorr punonjësi i burgut.
Siç raporton gazetari Aldo Kozarja për ABC News, në momentin kur kanë ardhur të shtënat, nuk ka patur të burgosur që mund të ishin në ajrim, çfarë ka bërë që nga grupi hetimor të rrëzohet pista e ndonjë atentati të mundshëm ndaj personave me rrezikshmëri të lartë që vuajnë dënimin në këtë burg.
Plumbi që ka goditur Pajën, ka qenë në momentet e fundit të forcës së tij, duke bërë që ai të plagoset lehtë.
Nga informacioni i përcjellë njoftohet se 41-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut dhe aktualisht po merret në pyetje nga grupi hetimor.
Sakaq, sipas raportimit të policisë mësohet se është sekuestruar edhe arma me të cilën ka qëlluar 35 vjeçari.
Ngjarja ka alarmuar zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit të cilët u nisen menjëherë drejt këtij Institucioni.
Njoftimi i Policisë:
“Peqin
Policia zbardh në kohë rekord ngjarjen ku u lëndua lehtë nga një plumb qorr, një punonjës i IEVP Peqin.
Arrestohet në flagrancë autori i dyshuar, i cili ka qëlluar në ajër në një kodër të fshatit Progër.
Policia gjeti dhe sekuestroi edhe armën me të cilën autori ka qëlluar në ajër.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe punës të mirëorganizuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan është bërë i mundur identifikimi, kapja dhe shoqërimi në ambientet e Komisariatit të Policisë Peqin, i shtetasit G. K., 35 vjeç.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas, në kodrat e fshatit Progër, Peqin, ka qëlluar në ajër me armë zjarri dhe për pasojë u lëndua lehtë nga një plumb qorr, shtetasi I. P., punonjësi i IEVP Peqin.
Po si rezultat i veprimeve të shpejta, shërbimet e Policisë gjetën në automjetin e autorit të dyshuar edhe armën me të cilën dyshohet se ka qëlluar në ajër ky shtetas.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje”./abcnews.al