10 ditë para se të hyjnë në fuqi ndryshimet e Kodit Penal që dënojnë me burg ata që përhapin infeksionin e koronavirusit, apo thyejnë karantinën, Presidenti i Republikës kërkon që të mos ketë abuzime.
Ilir Meta i ka dërguar një letër qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke ju kërkuar të informohen qytetarët si dhe të unifikohen qëndrimet e institucioneve për trajtimin e rasteve.
“Zbatimi i ndryshimeve në Kodin Penal që përmbajnë figurat e dy veprave të reja penale, e që lidhen në mënyrë të drejtpërdrejtë me situatën në të cilën ndodhemi për shkak të pandemisë COVID-19, nuk duhet të lërë asnjë shteg për keqinterpretim sa i takon rrethit të subjekteve dhe veprimeve apo mosveprimeve që ngarkojnë me përgjegjësi penale”, shprehet Meta.
Kreu i shtetit kërkon sqarime për të gjitha palët, në mënyrë që të mos ketë abuzime.
“Një normë e re penale rrezikon të aplikohet me vështirësi dhe të cenojë të drejta, nëse përmbajtja e saj nuk kuptohet në mënyrë të unifikuar, e për pasojë, as nuk zbatohet në mënyrë të unifikuar”, tha më tej ai.
Ishte Presidenti ai që në 16 prill, i dha një zgjidhje debatit publik për ashpërsimet e Kodit Penal, duke i propozuar parlamentit një variant të masave ndëshkuese, nene të cilat u miratuan menjëherë nga mazhoranca socialiste. Pak ditë më pas Meta i dekretoi, duke sjellë dhe kritikat e Partisë Demokratike e cila u pozicionua kundër ndryshimeve në Kodin Penal./abcnews.al