Maldini: Kurrë s’e kam menduar largimin, sezoni duhet të përfundojë

schedule13:36 - 24 Prill, 2020

schedule 13:36 - 24 Prill, 2020

Drejtori teknik i Milanit, Paolo Maldini, nuk i pranon zërat se ai ka menduar largimin nga kuqezinjtë. Në mediat italiane ka qarkulluar ky lajm që kur Zvonimir Boban u largua nga kuqezinjtë dhe flitej se edhe ish-kapiteni do të bënte të njëjtën gjë. Ai i hedh poshtë këto fjalë dhe deklaron se është i lumtur, si dhe shpreh mendimin e tij për fatin e kampionatit.

“Asnjëherë nuk e kam menduar largimin. Unë jam nga Milano dhe jam një tifoz i Milanit që fëmijë. Babai im ishte kapiteni i parë që ngriti Kupën Europiane me një ekip italian. Sigurisht që ka pasur moment të vështira, por nëse një ditë do të largohem atëherë do të jetë për këto dy faktorë: dëshira ime për t’u larguar si dhe nga situata e ekipit”, deklaron Maldini në një video live me Christian Vierin në “Instagram”.

“Djali im? Daniele është në hapat e parë të karrierës. Nuk është aspak e lehtë. Të njëjtë situatë kam pasur dhe unë me babain tim dhe të gjithë më mbanin afër. Djali im e ka filluar nga akademia. Giampaolo e grumbulloi atë në ekipin e parë, ndërsa Pioli i dha shansin për të debutuar. Sigurisht kritikat nga babai nuk janë të pëlqyeshme, por ato nuk do të mungojnë kurrë”, vazhdon ish-mbrojtësi anësor.

“Seria A? Të gjithë ne duhet të përpiqemi që të rifillojmë sezonin dhe ta përfundojmë atë. Në këto momente padyshim që parësor është shëndeti. Por, mendoj që nëse kushtet do të jenë aty nuk kemi pse të mos ta provojmë. Do të jetë e vështirë, për shkak edhe të kontratave që përfundojnë në 30 qershor, pasi Federata na ka kërkuar që të luajmë dhe në korrik. Por ne duhet ta provojmë”, mbyll Maldini. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!