Nga Xhensila Kodra
Ekzekutimi në mënyrë mafioze e Kastriot Reçit më 7 Janar të këtij viti në qendër të Rrëshenit, vijon të mbetet pa asnjë autor.
Burime zyrtare pranë Policisë së Shtetit konfirmojnë për ABC News se tashmë hetimet për të zbuluar atentatorin dhe bashkëpunëtorët e tij janë shtrirë edhe me homologët kosovarë.
Kjo për shkak se snajperi i përdorur në vrasje ka ardhur nga Kosova.
Në përgjigjen zyrtare që policia kosovare i dha hetuesve në vendin tonë, thuhet se pikërisht ky snajper i tipit “Sabatti” është vjedhur në territorin e tyre, në një banesë zonën e Rahovecit.
Kjo gjë është verifikuar nga numri serial që mban snajperi i sekuestruar pak metra larg vendit ku u vra Reçi.
Për këtë gjë, autoriteteve kosovare u është kërkuar të shkohet në gjurmën e autorit që ka vjedhur armën, çka mund të hedhë më pas dritë deri në gjetjen e atentatorit të Reçit.
Pak javë më parë, me një tjetër shkresë zyrtare policia e vendit tonë i është drejtuar asaj kosovare për të vërtetuar nëse snajperi ka qenë i modifikuar ose jo, duke u dërguar edhe modelin e gëzhojës së nxjerrë nga kjo armë.
Pas vrasjes së 47 vjeçarit Reçi, snajperi u dërgua menjëherë në laboratorin shkencor për të parë nëse në të kishte shenja gishtatsh ose jo.
ABC News mëson se në këtë armë, nuk janë gjetur prova të vlefshme për hetuesit. Edhe në paruken e sekuestruar e të dyshuar e përdorur nga autori, nuk është përfituar asnjë AND, duke e bërë edhe më të vështirë identifikimin e autorit.
Nisur nga rrethanat e ngjarjes dhe mënyra se si ai ka vepruar duke hyrë në pallat i veshur sportiv dhe dalë prej andej i veshur si grua, polici ka dyshimet se vrasësi është profesionist e me pagesë.
Kastriot Reçi u qëllua me një plumb në zemër nga kati i 9-të i këtij pallati në afërsi të qendrës së Rrëshenit, pasi 47 vjeçari zbriti nga mjeti “Benz” për të hyrë në lokalin e tij.
Pista kryesore vijon të jetë ajo e hakmarrjes. Kastriot Reçi nuk është një emër i panjohur për policinë shqiptare.
Katër vite më parë ai u mor në ptyetje si i dyshuar i përfshirë në vrasjen e ndodhur në 9 Shtator të 2016, ku u vra ish-drejtori i OSHEE-së në qarkun e verit, Sajmir Jaku.
Pas marrjes në pyetje, Reçi u la i lirë për mungesë provash. Ekzekutimi i Sajmir Jakut do të pasonte me një zinxhir tjetër vrasjesh brenda e jashtë Shqipërisë, e të gjitha pa autorë. Shtatë muaj më pas, në 28 Prill po të 2017-ës në Romë të Italisë vritet Gasper Reçi, vëllai i Kastriot Reçit. Sipas policisë Italiane, dy vëllezërit Reçi ishin të skeduar në trafikun e drogës.
Hakmarrja mes grupeve vijoi më tej. Në 6 Shtator 2017, në Belgjikë vritet Kreshnik Gjini, nipi i Sajmir Jakut. Ndërsa në 12 Gusht të 2019, po në Rrëshen vritet Tonin Gjini, i njohur edhe me emrat Armando e Antonio Gjini. Të gjitha këto ngjarje, janë duke u hetuar në një pistë të vetme, hakmarrja.
Seriali i vrasjeve
9 Shtator 2016 vritet Sajmir Jaku
28 Prill 2017 vritet Gasper Reçi
6 Shtator 2017 vritet Kreshnik Gjini (nipi i Sajmir Jakut)
12 Gusht të 2019 vritet Tonin Gjini
7 Janar 2020 vritet Kastriot Reçi