Arsenali i propozoi disa ditë më parë lojtarëve të ulnin rrogat me 12.5% për sezonin e ardhshëm, për t’i bërë ballë krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Lojtarët refuzuan edhe pse drejtuesit e klubit premtuan përfshirjen e disa klauzolave interesante.
Klubi siguroi futbollistët që shuma e ulur nga rroga do t’u rikthehej atyre në momentin që do të rinovonin ose do të shiteshin, por këta të fundit refuzuan sërish. Arsenali nuk është dorëzuar dhe ia ka dalë të “thyejë” lojtarët me propozimin e fundit.
Daily Mail raporton se “Topçinjtë” kanë përfshirë disa bonuse shtesë. Çdo lojtar do të përfitojë 100 mijë paund nëse Arsenali kualifikohet në Champions League sezonin e ardhshëm, teksa është vënë shpërblimi me 500 mijë paund për kokë për fitimin e këtij kompeticioni dhe 100 mijë paund për kokë për fitimin e Europa League.
I rëndësishëm ka qenë edhe veprimi i Mikel Artetës. Trajneri spanjoll, i cili ishte i pari që u infektua me COVID-19 në ishull, pranoi uljen e rrogës së tij dhe vuri në sedër lojtarët. Këta të fundit kanë pranuar propozimin e klubit, akordi është final afër dhe Arsenali pritet të bëhet klubi i parë britanik që vendos të ulë rrogat e lojtarëve. /abcnews.al