Futbolli italian po tenton të riniset gradualisht, në fillim me stërvitjen e skuadrave dhe pastaj përfundimin e kampionatit. Gjithsesi, përplasjet nuk kanë munguar mes drejtuesve, diçka që Massimo Morattit nuk i ka pëlqyer. Ish-presidenti i Interit ka analizuar situatën e vështirë në një prononcim për Tele Radio Stereo, duke kërkuar më shumë mbrojtje për futbollistët.
“Po kalojmë një situatë dramatike, nuk kemi nevojë edhe për konflikte brenda futbollit. Shfrytëzimi i kësaj situate është një nga gjërat më të këqija që mund të ndodhë. Liga e Serie A po mbron interesin e disa klubeve, por nuk ka unitet brenda saj, diçka që krijon dyshime për qëllimet e saj. Pasuritë e klubeve të futbollit janë futbollistët, të cilët duhen mbrojtur. Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm përpara se të rinisemi.
Interi? Klubi po sillet shumë mirë, duke lënë Piero Volpin (doktori i skuadrës, i infektuar me Covid-19) të tregojë aventurën e tij, në mënyrë që njerëzit ta kuptojnë rrezikshmërinë e këtij virusi. Të njëjtën gjë duhet të bëjnë edhe lojtarët, por vetëm Lukakun kam dëgjuar të flasë qartë mbi rrezikun e koronavirusit”, deklaron Moratti. /abcnews.al