Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka sqaruar të gjithë maturantët se në provimet e maturës nuk do të ketë pyetje mbi tema që janë zhvilluar nga shtëpia, kjo pasi siç ajo tha, jo të gjithë nxënësit kanë mësuar me të njëjtin ritëm dhe cilësi. Ajo thotë se është ngritur një grup ekspertësh që kanë bërë të mundur hartimin e pyetjeve, duke hequr çdo temë që është bërë nga shtëpia.
“Në testin e maturës nuk do të ketë pyetje që reflektojnë tema që janë mbuluar gjatë kohës që kemi mësuar në kushte shtëpie. Pra, në testin e maturës do të kemi pyetje nga klasa e 10-të, 11-të, si dhe nga klasa e 12-të për temat që janë zhvilluar sa kemi qenë ende duke mësuar në shkollë. Kjo për arsye se e kuptojmë që zhvillimi i koncepteve të reja në kushte shtëpie është i vështirë.
Jo të gjithë nxënësit kanë mësuar mbi temat e reja në tempo dhe me të njëjtën cilësi. Ndaj që të jemi të drejtë, kemi vendosur që t’i heqim këto nga testi i maturës. Një nxënës na pyet se nga e dimë ne se kush janë bërë në kushte shtëpie. Unë i them se personat që hartojnë testet e maturës janë ekspertë. Ata kanë hequr të gjitha temat që janë bërë në kushte shtëpie”, thotë Shahini.
Ajo ka folur edhe për propozimet e nxënësve për të shpërndarë tabletat e shkollës për ata që nuk kanë mundësi të mësojnë nga shtëpia, në mungesë të një celulari apo tableti që e mundëson atë.
“Janë diku 60 shkolla që kanë filluar një projekt me klasë digjitale me tabletë, por është e vështirë të nxirren ato tableta nga shkolla sepse janë pronë e shkollës dhe kanë një sistem karikimi brenda shkollës. Për sa kohë nxënësi nuk e kthen çdo ditë në shkollë për ta karikuar, praktikisht, ai bëhet i papërdorshëm”, u shpreh Shahini./Abcnews.al