Pas një starti për t’u harruar, de Ligt e gjeti formën e tij te Juventusi dhe javët e fundit, po bënte ndeshje të mira. Mbrojtësi i talentuar holandez ka dhënë një intervistë për mediet italiane, ku foli për ditën e parë në dhomat e zhveshjes së “Zonjës”, ndeshjen debutuese dhe Cristiano Ronaldon.
“A ishte Cristiano Ronaldo vendimtar për ardhjen time te Juventusi? Jo, nuk ka qenë kjo arsyeja, kam pasur shumë kohë për të zgjedhur mes skuadrave që më donin, por Juventusi ka qenë zgjedhja më e mirë për mua.
Kur kam hyrë në dhomat e zhveshjes së Juventusit për herë të parë, jam ndjerë si një fëmijë në një dyqan ëmbëlsirash. Ishte Buffon, Cristiano Ronaldo e shumë lojtarë të tjerë të mëdhenj.
Kam shkuar më vonë se të tjerët dhe kam luajtur kundër Tottenham-it në Azi pa bërë asnjë stërvitje. Pas 20 minutash nuk arrija as të merrja frymë”, u shpreh De Ligt./abcnews.al