Historia e “Bixh balerinës”, si e larguan nga futbolli për 300 $

schedule09:13 - 12 Prill, 2020

schedule 09:13 - 12 Prill, 2020

Luigj Bytyçi, një emër i njohur i futbollit shqiptar, kampion me Tiranën dhe Partizanin, një ditë më parë ka festuar 80-vjetorin e lindjes. Urimet për të kanë qenë të shumta dhe njëri prej tyre ka qenë i veçantë. Presidenti Ilir Meta i ka kushtuar disa rreshta “Bixhit”.

“Luigj Bytyçi, mesfushori brilant i Tironës legjendare të viteve ’60-’70, mbush 80 vjeç. Në vitet ’60-’70, kulmore të talentit të tij, Luigji u përkëdhel nga tifozët si “Bixh balerina” pikërisht për elegancën në fushën e blertë, intuitën unike, teknikën e jashtëzakonshme, aftësitë e spikatura si organizator, si edhe për golat e shënuar.

Gjatë karrierës së spikatur Bixhi ka dalë kampion edhe me Partizanin në vitin 1961, si dhe ka fituar edhe dy kupa me të kuqtë në vitet 1961 dhe 1963. Me Tironën ai do të shpallej katër herë kampion i Shqipërisë: ’64-65, ’65-’66, 1968 dhe ’69-’70.

Ndaj edhe në këtë vit jubilar të kremtimit të 100-vjetorit të Tironës kryeqytet, uroj që ekipi bardhë e blu të arrijë rezultate të larta mbështetur mbi këtë model e trashëgimi të vyer të brezit të futbollistëve të viteve ’60-’70. Shëndet dhe jetë të gjatë Bixhit!”, shkruan Meta.

Ndërkohë “Bixhi”, në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, tregon se si u detyra të linte futbollin. Pa asnjë dyshim ai ishte momenti më i vështirë për të. Ai tregon edhe si ndodhi gjithçka. “Luanim një ndeshje jashtë, në Belgjikë saktësisht. Një komshi nga Lushnja, këtu afër shtëpisë, erdhi e më tha se disa të afërm të tij do të vinin te hoteli i kombëtares dhe do të më jepnin ca para.

Si djalë i ri që isha, iu zotova se do t’ia kryeja porosinë. Kur ishim atje, të afërmit erdhën. Bashkë me mua ishte edhe doktori i ekipit, i cili dinte frëngjisht. Ai e përktheu aty, por ‘përktheu’ edhe në zyrat e Sigurimit të Shtetit.

Kur erdha në Shqipëri më pas, më skanuan dhe më konfiskuan të gjitha ato që më dhanë atje për komshiun tim. Gjithashtu më larguan edhe nga futbolli. E kam pengun e jetës. Isha vetëm 27 vjeç. Për sa para bëhej fjalë? Për afro 300 dollarë me sa mbaj mend. Aty mori fund karriera ime”, tregon Bytyçi. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!