Javier Zanetti nuk i mbajti dot lotët në vitin 2010, kur Interi ngriti trofeun e Champions League pas 45 vitesh. Zikaltrit ia dolën të fitojnë edhe kampionatin dhe Kupën e Italisë, duke arritur një sukses të jashtëzakonshëm. Arkitekti i atij Interi ishte Jose Mourinho dhe argjentinasi ka vetëm fjalë të mira për ish-trajnerin e tij.
“Mourinho është special në gjithçka që ai përfaqëson. Ai është një trajner i shkëlqyeshëm dhe një person i jashtëzakonshëm. Mou ia ka dedikuar gjithmonë jetën e tij profesionit që bën. Bëhet fjalë për një motivues shumë të mirë, një njeri që u merr më të mirën të gjithëve. Gjithashtu i përgatit ndeshjet në mënyrë unike”, shprehet Zanetti.
Më tej, në intervistën e dhënë për ESPN, ai ka folur edhe për trajnerin aktual të Interit. “Conte po punon me të vërtetë shumë mirë dhe mund të shohim rezultatet. falë tij lojtarët janë përmirësuar dhe tani Interi ka një skuadër që vlen më shumë në aspektin ekonomik. Rruga për t;u bërë është e gjatë, por shoh një të ardhme të mirë para nesh”.
Sigurisht nuk mund të shmanget kur bëhet fjalë për bashkëkombësit e tij, Mauro Icardi dhe Lautaro Martinez. I pari është huazuat te PSG, që duhet të marrë OK e sulmuesit dhe më pas të paguajë 70 milion euro për ta transferuar. “Icardi? Nuk e di se çfarë do të ndodhë. Lautaro Martinez? Është përmirësuar shumë edhe falë Antonio Conte. Pëlqimi i Barcelona? Të ardhmen e tij e shoh tek Interi”, deklaron Zanetti. /abcnews.al