Kryeministri Boris Johnson është futur në terapi intensive në spital, për shkak se gjendja e tij është rënduar. Mediat britanike raportojnë se transferimi i kryeministrit në njësinë e terapisë intensive është bërë 30 minuta më parë.
Vendimi u mor nga ekipi i tij mjekësor pasi gjendja e Johnson u përkeqësua gjatë kësaj të hëne. Kryeministri është i vetëdijshëm dhe vendimi është marrë si masë paraprake në rast se i duhet ventilimi.
Johnson u konfirmua si pozitiv me Covid-19 disa ditë më parë, ndërsa mbrëmë u transferua në spital, veprim ky që u quajt si një “hap paraprak parandalimi” pasi kreu i qeverisë vazhdon të ketë simptoma edhe pse kanë kaluar 10 ditë qëkur ka rezultuar i infektuar me koronavirus.
Më herët gjatë pasdites së sotme Johnson pohoi se është në gjendje të mirë shëndetsore dhe se i është nënshtruar testeve rutinë në spital për simptoma të koronavirusit.
“Me këshillën e mjekut tim, unë shkova në spital për teste rutinore pasi ende ndjej simptomat e koronavirusit. Jam në humor të mirë dhe jam në kontakt me ekipin tim pasi punojmë për të luftuar këtë virus, për t’i mbajtur të gjithë të sigurt”, shkroi ai. /abcnews.al