Gianni De Biasi, ish-trajneri i Shqipërisë, foli për kryeministrin Edi Rama dhe ndihmën që Shqipëria po i jep Italisë, duke dërguar mjekë dhe infermierë. Strategu që shkroi historinë me Shqipërinë, duke na kualifikuar në Euro2016, është një figurë shumë e dashur për tifozët shqiptarë dhe vetë De Biasi, e ka pranuar shpeshherë këtë gjë. Edhe strategu italian ka një dashamirësi për vendin tonë, madje ka dhe nënshtetësinë shqiptare.
“Unë i dërgova një mesazh kryeministrit Rama për të nënvizuar gjestin e madh njerëzor nga ana e tij dhe popullit shqiptar”, tha fillimisht De Biasi për Tuttosport.
“I thashë që të ishte krenar për shembullin që i dha botës. Ai u zgjodh kur unë isha duke drejtuar ekipin kombëtar: ne menjëherë kontaktuam dhe lindi një miqësi e fortë.
Ai, i cili ka qenë basketbollist kur ishte i ri, gjithmonë ka pasur një vëmendje të madhe ndaj sportit. Për periudhën në të cilën unë stërvita në Shqipëri, kombëtarja i dha mundësi shumë fëmijëve për realizimin e ëndrrave të tyre”, tha mes të tjerash De Biasi./abcnews.al