Meta i kthen Kuvendit “Anti-KÇK-në: Tejkalon kompetencat kushtetuese të Qeverisë

schedule19:18 - 30 Mars, 2020

schedule 19:18 - 30 Mars, 2020

Presidenti Ilir Meta i ka kthyer mbrapsht Kuvendit Aktin Normativ për Paketën Anti- KÇK duke konstatuar se shkel Kushtetutën dhe parashikimet për funksionimin e SPAK dhe GJKKO.

Në arsyetimin e publikuar, kreu i shtetit rëndit një sërë shkeljesh që ai sheh tek miratimi i këtij akti normativ duke theksuar se lufta kundër krimit të organizuar duhet të jetë “detyrim i përhershëm i qeverisë, ndërsa mekanizmat për gjurmimin dhe pengimin e përdorimit të burimeve të ardhura nga krimi, janë përcaktuar në legjislacionin në fuqi që duhet të zbatohet nga organet e ngarkuara me ligj”.

Shkeljet që rendit Presidenti:

Tejkalon kompetencat kushtetuese të Këshillit të Ministrave;

Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;

Shkel njëherazi disa të drejta dhe liri themelore të njeriut, si e drejta e pronës private, e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, apo prezumimi i pafajësisë;

Shkel hierarkinë e akteve të përcaktuar në nenin 116 të Kushtetutës;

Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;

Shkel parashikimet kushtetuese mbi funksionimin e pavarur të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;

Bie ndesh me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.

PËRMBLEDHJE E ARSYEVE TË KTHIMIT

Ligji nr. 18/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike””:

 

Tejkalon kompetencat kushtetuese të Këshillit të Ministrave;

Shkel parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve;

Shkel njëherazi disa të drejta dhe liri themelore të njeriut, si e drejta e pronës private, e drejta për një proces të rregullt gjyqësor, apo prezumimi i pafajësisë;

Shkel hierarkinë e akteve të përcaktuar në nenin 116 të Kushtetutës;

Bie ndesh me parime të rëndësishme që qëndrojnë në themelet e shtetit të së drejtës të përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe në jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;

Shkel parashikimet kushtetuese mbi funksionimin e pavarur të Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;

Bie ndesh me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale.

Ky ligj shkel në mënyrë të drejtpërdrejtë nenet 7, 17, 27, 38, 41, 42, 81/2, 83, 101, 116, 136/2, 148/2, 148/dh, 149/ç, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenin 6 të KEDNJ-së si dhe nenin 1 të protokollit nr.1 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

Akti Normativ me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020, i Këshillit të Ministrave, i miratuar me Ligjin nr. 18/2020 është miratuar në kundërshtim flagrant me nenin 101 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Në relacionin shoqërues të aktit normativ jo vetëm që mungon sqarimi qoftë formal i nevojës dhe urgjencës për propozimin dhe miratimin e këtij akti, por edhe nga shqyrtimi i qëllimit dhe objektit të nismës, është e qartë se nuk ka asnjë rrethanë faktike, objektive që të kërkonte apo që të legjitimojë ushtrimin e kompetencës që neni 101 i Kushtetutës ia njeh Këshillit të Ministrave.

Përkundrazi, lufta ndaj kriminalitetit në vend është detyrim i përhershëm i qeverisë, ndërsa mekanizmat për gjurmimin dhe pengimin e përdorimit të burimeve të ardhura nga krimi, janë përcaktuar në legjislacionin në fuqi që duhet të zbatohet nga organet e ngarkuara me ligj.

Lufta kundër krimit të organizuar, organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale, si dhe çdo grupi tjetër kriminal, bandave të armatosura, individëve të përfshirë në krimet e rënda, siç citohet në nenin 2 të aktit normativ, nuk mund të jetë një qëllim i përkohshëm, që kërkon masa të përkohshme.

 

Masat e përkohshme janë të justifikuara kur pranohet gjerësisht se gjendja është aq alarmante sa nuk mund të përballohet më me legjislacionin aktual dhe se kërkon patjetër ndërhyrje dhe masa të jashtëzakonshme.

Përkundrazi, nevoja për konsolidimin e sigurisë në vend, kërkon masa dhe politika afatgjata, të cilat u vlerësuan në mënyrë të thelluar kur legjislacioni u amendua në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, në vitin 2017.

Në Raportin e Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, citohet se: “U vu re se ligji antimafia nuk po funksiononte ashtu siç duhej, si edhe një çoroditje e sistemit gjyqësor dhe i prokurorisë me disa vendimeve, që janë bërë të njohura për të gjithë opinionin publik nëpërmjet medias. Në këto kushte, por edhe për nevojën emergjente deri sa të krijohet struktura e posaçme për investigimin e aseteve kriminale, siç është Byroja Kombëtare e Hetimit, u miratua ky akt normativ”.

Nëse është realizuar një analizë e tillë ex post e mbështetur në fakte, që na tregon se një pjesë e legjislacionit të brendshëm nuk është më efektiv dhe nuk zbatohet, atëherë po mbështetur në një analizë juridike dhe faktike, duhet të:

propozoheshin një set masash për forcimin e kapaciteteve të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit; dhe

nëse këto masa rezultojnë të pamjaftueshme, mund të ndërmerren nisma për propozimin e amendamenteve ligjore, duke respektuar procesin e hartimit gjithëpërfshirës të nismave dhe konsultimit publik të tyre, para miratimit.

Por asnjë analizë e tillë nuk është bërë, duke shkelur hapur parimet kushtetuese dhe duke miratuar një akt normativ jo vetëm në shkelje të kompetencave kushtetuese që i njihen Këshillit të Ministrave, por edhe në shkelje të një sërë funksioneve që Kushtetuta ia ka njohur disa prej organeve të drejtësisë, siç do të evidentohet më poshtë.

Mosrespektimi, në rastin konkret, fillimisht nga Këshilli i Ministrave, i kritereve dhe kufizimeve kushtetuese procedurale dhe lëndore, përbën një të metë të legjitimitetit kushtetues të qeverisë për nxjerrjen e aktit normativ dhe, po ashtu, një të metë të ligjit që ka miratuar Kuvendi[1].

Përkohshmëria e zbatimit të këtij akti është shpjeguar në Raportin e Komisionit përgjegjës për çështjet ligjore, me momentin e ngritjes dhe funksionimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Kjo Byro, me fillimin e veprimtarisë së Prokurorisë së Posaçme, tanimë është në fazën finale për fillimin e veprimtarisë së saj. Kësisoj, edhe nevoja e vetme, edhe pse e pajustifikuar ligjërisht, për rregulla të posaçme, tashmë nuk ekziston më.

Edhe pse Byroja Kombëtare e Hetimit, nuk ishte funksionale të miratimin e këtij akti, sërish, shtetit shqiptar, nuk i mungon as legjislacioni dhe as strukturat e Policisë Gjyqësore që mund të kryejnë detyrat e tyre në zbatim të kuadrit ligjor ekzistues.

Duhet që ky legjislacion të zbatohet në mënyrë permanente dhe në mënyrë objektive, pasi lufta kundër kriminalitetit dhe aseteve kriminale nuk është kurrsesi një shfaqje televizive për kredite politike. Kjo u evidentua qartë kur në mënyrë të pajustifikuar, angazhohen një tërësi forcash policore të armatosura, me qëllimin e vetëm dorëzimin e një komunikimi shkresor. Kur ky veprim mund të kryhej shumë thjesht nga një oficer policie, apo qoftë dhe nga shërbimi postar.

Për më tepër, po sipas parashikimeve të vetë aktit normativ, duket se përkohshmëria ka një koncept të shtrirë në kohë, duke e kthyer zbatimin e këtij akti në një ligj të mirëfilltë që synon të gjejë zbatim për një kohë të gjatë, duke shkelur parashikimet e ligjeve proceduriale dhe atyre të miratuara me shumicë të cilësuar në kuadër të reformës në drejtësi dhe duke dubluar institucionet e reja të drejtësisë që kanë kompetenca të qarta kushtetuese dhe ligjore.

Kësisoj, i referohemi parashikimit të bërë në pikën 2, të nenit 29, të aktit normativ, ku përcaktohet se: “Deri më 31 mars të vitit 2021, subjektet e parashikuara në pikën 1, të këtij neni, duhet të bëjnë deklarimet pasurore mbi të ardhurat vjetore, shtesat, pakësimet dhe ndryshimet e pasurisë përgjatë vitit 2020.” Ndërkohë që, në nenin 38 të vetë aktit normativ, përcaktohet se: “Ky akt normativ ka efekt të përkohshëm dhe do të zbatohet deri më 31.12.2020”.

Kjo mospërputhje është ose gabim i miratuesve të aktit normativ dhe miratuesve të ligjit nr. 18/2020, ose tregon qëllimin e vërtetë për të shtrirë në kohë efektet e këtij akti.

Akti normativ nr.1, datë 31.01.2020, i miratuar me ligjin nr. 18/2020, cenon parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, sanksionuar në nenin 7 të Kushtetutës, për sa kohë është nxjerrë një akt me fuqinë e ligjit, pa ekzistuar nevoja dhe urgjenca, duke marrë përsipër Këshilli i Ministrave të rregullojë fusha që janë në kompetencën ekskluzive të Kuvendit dhe kërkojnë miratim me shumicë të cilësuar.

Për më tepër, përmbajtja e aktit normativ ka dispozita që sanksionojnë marrëdhëniet me prokurorinë dhe gjykatën, ku parashikohen procedura të veçanta dhe vendosen afate për organet e drejtësisë (nenet 10, 12, 18, 19, 21, 22, 23, 24, 25, 26), të cilat janë të sanksionuara në legjislacionin në fuqi që është i miratuar me shumicë të cilësuar të Kuvendit të Shqipërisë.

Në themel të procesit ligjvënës qëndron nxjerrja e akteve juridike, të cilat duhet të karakterizohen nga vijueshmëria dhe stabiliteti. Vendimi i Kuvendit është rezultat përfundimtar i diskutimeve parlamentare dhe miratimi i tij duhet të arrihet vetëm nëpërmjet një procesi të rregullt procedural.

Ndërsa akti normativ nr.1, dhe miratimi i tij nga Kuvendi me ligjin nr. 18/2020, jo vetëm që nuk garanton stabilitet, vijueshmëri, por edhe miratimi i rregullave të reja nuk ka ndjekur procesin e rregullt të miratimit të normave me karakter të përgjithshëm.

Ligji nr. 18/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike””, i miratuar në kundërshtim me nenin 7 dhe kërkesat e nenit 101 të Kushtetutës, ka bërë që të shkelen dhe neni 30 i Kushtetutës, që sanksionon parimin e prezumimit të pafajësisë, parim që mbrohet edhe nga Neni 6 (2) i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Neni 11 (1) i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, si dhe neni 41 i Kushtetutës.

Subjektet që i nënshtrohen këtij akti normativ, edhe pse janë nën një process penal hetimor dhe ndaj tyre nuk ka një vendim të formës së prerë, sipas dispozitave të aktit normativ, i nënshtrohen disa masave që kalojnë masën e proporcionalitetit dhe nuk përkojnë me procedurën që dikton Kodi i Procedurës Penale apo legjislacioni në fuqi.

Gjithashtu, shkelja e nenit 101 të Kushtetutës në miratimin e këtij akti, që përcakton rregulla dhe afate të sanksionuara në Kodin e Procedurës Penale, dhe ligje të miratuara në kuadër të reformës në drejtësi, ka shkelur për pasojë nenet 81, paragrafi 2, 83, paragrafi 3, dhe 116 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Dispozitat e aktit normativ që rregullojnë afatet dhe procedurat që duhet të ndjekë prokuroria dhe gjykata, bazuar në kërkesën e Operacionit Forca e Ligjit (OFL), janë rregullime që sipas parashikimit të nenit 81, paragrafi 2, germat “a” dhe “d” të Kushtetutës, duhet të ishin miratuar me ligj me shumicë të cilësuar.

Miratimi me akt normativ me fuqinë e ligjit, i rregullave që për më tepër kapërcejnë rregullimet e bëra në ligje të miratuara me shumicë të cilësuar, shkelin hapur hierarkinë e normave sipas Kushtetutës.

Nenet 10 dhe 11 të aktit normativ nr. 1, miratuar me ligjin nr. 18/2020, i japin kompetenca Operacionit “Forca e Ligjit”, të bëjnë kërkesë të arsyetuar pranë prokurorit për marrjen e masave parandaluese personale.

Madje, në rastet e urgjencës, neni 11 i lejon Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, me kërkesë të OFL-së, që të mund të vendosë masat parandaluese personale të parashikuara në pikat 1 dhe 2 të nenit 10, me përjashtim të masës së nxjerrjes jashtë territorit për shtetasit e huaj për një afat deri në 1 vit. Këto parashikime bien ndesh me nenin 75/a të Kodit të Procedurës Penale dhe me ligjin nr. 95/2016, që garanton funksionimin e Njësisë së Pavarur Hetimore për të hetuar veprat penale të korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe veprat e tjera penale të kryera vetëm nga subjektet e parashikuara në pikën 2, të nenit 135, të Kushtetutës, të pavarur nga çdo ndikim i paligjshëm, i brendshëm apo i jashtëm.

Këto parime dhe parashikime kushtetuese shkelen edhe nga dispozita të tjera të aktit normativ, si neni 18, që parashikon se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me kërkesë të OFL-së, i referon prokurorit, në mënyrë të arsyetuar, çështjen dhe i kërkon paraqitjen në gjykatë të kërkesës për marrjen e masës së sekuestros. Ky parashikim, praktikisht jo vetëm imponon/detyron prokurorin në kryerjen e funksioneve të tij, por shkon edhe më tej, ku pushteti ekzekutiv përmes këtij akti normativ i rrëmben me forcë prokurorit përgjegjësitë kushtetuese dhe procedurale për ushtrimin e hetimit dhe ndjekjes penale.

Neni 11, pikat 3, 4, 5, 6, dhe 7, dhe nenet 18, 19, 20, 23, dhe 24 të aktit normativ, përmbajnë parashikime proceduriale për gjykatën dhe prokurorinë e posaçme. Këto parashikime që lidhen kryesisht me afatet, janë të përcaktuara vetëm në Kodin e Procedurës Penale, ligj i miratuar me shumicë të cilësuar. Ndaj këto dispozita të aktit normativ, kanë cenuar nenin 81, paragrafi 2, nenin 83, paragrafi 3, të Kushtetutës, dhe neni 116 të saj. Posaçërisht neni 83, paragrafi 3, i Kushtetutës përcakton se, “Procedura e përshpejtuar nuk lejohet për shqyrtimin e projektligjeve të parashikuara në nenin 81 paragrafi 2, me përjashtim të nënparagrafit dh”. Parashikimet proceduriale përcakohen në Kod, që sipas nenit 81, paragarafi 2, shkronja “dh” e Kushtetutës, miratohen me shumicë të cilësuar.

 

Këto dispozita kushtetuese shkelen edhe nga neni 26, pika 4 e aktit normativ nr. 1, parashikim ky që i imponon Gjykatës më të lartë që prish vendimin e formës së prerë që ka vendosur konfiskimin e pasurisë, edhe mënyrën e vendimarrjes, duke diktuar që gjykata më e lartë të vendosë vetëm për njohjen e vlerës së pasurisë së konfiskuar mbajtësit apo zotëruesit të së drejtës së pronësisë.  Një parashikim i tillë, cenon hapur dhe neni 41 të Kushtetutës që garanton të drejtën e pronës private.

Nenet 15 dhe 19, të aktit normativ, gjithashtu shkelin nenin 244 të Kodit të Procedurës Penale dhe për pasojë cenojnë parimin e sigurisë juridike dhe janë në kundërshtim me nenin 81, paragrafi 2, nenin 83, paragrafi 3, të Kushtetutës, dhe nenin 116 të saj. Këto dispozita i japin të drejtë Policisë së Shtetit të nisë marrjen e masave parandaluese me karakter pasuror, apo dhe vendosjen e masës së sekuestros nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, me justifikimin e nevojës dhe urgjencës.

Sipas nenit 244 të Kodit të Procedurës Penale, masat e sigurimit vendosen me kërkesën e prokurorit, i cili i paraqet gjykatës kompetente arsyet ku bazohet kërkesa.

Neni 32 i aktit normativ, parashikon se me autorizim të lëshuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, mund të vendoset sekuestrimi i dokumenteve të shqyrtuara, sipas rregullave të                                  parashikuara në nenet 208, 209, 210 dhe 211, të Kodit të Procedurës Penale, si dhe rregullave të parashikuara në aktin normativ. Neni 208 i Kodit të Procedurës Penale, përcakton qartë se është gjyqtari ose prokurori që disponon me vendim të arsyetuar sekuestrimin e provave materiale dhe të sendeve që lidhen me veprën penale kur ato janë të domosdoshme për vërtetimin e fakteve. Kësisoj, kjo dispozitë, përveçse është në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, miratuar me shumicë të cilësuar, është në kundërshtim edhe me nenin 81, paragrafi 2, nenin 83, paragrafi 3, dhe nenin 116 të Kushtetutës.

Neni 33 i aktit normativ, që lejon aksesin për strukturat e policisë në operatorët që përdorin rrjetet dhe ofrojnë përdorimin e shërbimeve elektronike e telefonike të çdo lloji, janë shkelje e atributeve ekskluzive të prokurorit, të sanksionuara në nenet 221-226 të Kodit të Procedurës Penale dhe garancitë që ofrojnë këto parshikime dhe parashikimet e ligjit nr. 9157, datë 4.12.2003 “Për përgjimin e komunikimeve elektronike”, i ndryshuar.

Ligji nr. 18/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike””, bie ndesh me nenin 17 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Kufizimet e lirive dhe të drejtave të njeriut, të parashikuara në aktin normativ me fuqinë e ligjit të Këshillit të Ministrave nuk përmbushin kërkesat e nenit 17 të Kushtetutës për arsye se, akti normativ nuk respekton elementin e domosdoshmërisë, pjesë e parimit të proporcionalitetit.

Përkundrejt kërkesave që dikton parimi i proporcionalitetit, legjislacioni në fuqi parashikon masa konkrete për goditjen financiare të krimit të organizuar, edhe në kuadër të parandalimit të veprave penale dhe në mënyrë të veçantë për krimin e organizuar dhe terrorizmin

Konkretisht ky legjislacion është:

Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë;

Kodi i Procedurës Penale të Republikës së Shqipërisë;

Ligji nr. 10192, datë 03.12.2009 “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë”, i ndryshuar;

Ky ligj ka për objekt: Ky ligj përcakton procedurat, kompetencat dhe kriteret për zbatimin e masave parandaluese kundër pasurisë së personave, që janë subjekt i këtij ligji, si të dyshuar për pjesëmarrje në krimin e organizuar, trafikimin dhe korrupsionin, si dhe në kryerjen e krimeve të tjera, sipas parashikimeve të këtij ligji. (neni 1)

Ky ligj ka për qëllim: Qëllimi i këtij ligji është parandalimi dhe goditja ndaj krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit dhe krimeve të tjera, sipas parashikimeve të këtij ligji përmes konfiskimit të pasurisë së personave, të cilët kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik, si rezultat i veprimtarisë së dyshuar kriminale. (neni 2)

Ligji nr. 9917, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i ndryshuar, i cili ka për qëllim të parandalojë pastrimin e parave dhe të produkteve që burojnë nga veprat penale, si dhe parandalimin e financimit të terrorizmit (neni 1).

Ligji nr. 157/2013 ¨Për masat kundër financimit të terrorizmit¨, i ndryshuar;

Ligji nr. 95/2016, “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

Këto akte parashikojnë të gjithë mekanizmat e nevojshëm dhe organet e specializuara për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Ndërsa akti normativ nr. 1, miratuar me ligjin nr. 18/2020, ka të njëjtin objekt që rregullohet nga aktet e mësipërme, me dallimin se “përcakton masat parandaluese me karakter të përkohshëm” dhe qëllim “ndërhyrje emergjente dhe me karakter të përkohshëm në kushtet e nevojës së forcimit dhe ashpërsimit të luftës kundër krimit të organizuar […]”.

Miratimi i rregullave, që mbi të gjitha konsiderohen si të përkohshme, jo vetëm që krijon mbivendosje ndërmjet organeve dhe normave ligjore, por cenon rëndë parimin e sigurisë juridike.

Si ligji nr. 95/2016, ashtu dhe ligjet e tjera të sipërcituara, përfshirë dhe Kodet, janë rishikuar edhe në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, pikërisht për të forcuar masat kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Këto ndryshime janë bërë mbështetur në analizën e gjerë që i parapriu rishikimin e paketës ligjore në kuadër të reformës. Ndërkohë, hedhja poshtë e punës së bërë, me justifikimin se “këto ligje nuk po funksionojnë”, minon në tërësi besimin tek reforma në drejtësi dhe përkthehet si dështim i saj.

Akti normativ, referuar parashikimeve të nenit 10, përcakton një sërë masash parandaluese personale që ndërmerren ndaj personave subjekt të këtij akti normativ. Msat që parashikon ky akt normativ, hyjnë në sferën e juridiksionit penal, dhe janë të përcaktuara në nenin 228 dhe 229 të Kodit të Procedurës Penale, që përcaktojnë kushte dhe kritere për caktimin e masave të sigurimit personal.

Ndëra nga përmbajtja e aktit normativ, mbetet e paqartë nëse jemi para një procesi të mirëfilltë penal apo jo. Në çdo rast, llojet e masave të sigurimit personal, kriteret, kushtet dhe organet përgjegjëse për aplikimin e tyre, mund të përcaktohen vetëm nga Kuvendi, përmes ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, i miratuar me shumicë të cilësuar. Kësisoj, këto parashikime të përcaktuara nga qeveria me një akt normativ bien në kundërshtim me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale, dhe nuk përmbushin kërkesat dhe garancitë minimale të parashikuara në nenin 27 të Kushtetutës dhe me nenin 5 të KEDNJ-së.

Parashikimet e aktit normativ që:

në nenin 11 të tij, i njeh të drejtën Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të vendosë masa parandaluese personale;

në nenin 19, i njeh të drejtën Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për sekuestrimin e pasurisë;

në nenin 28, i njeh të drejtën Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për vendosjen së masave parandaluese me karakter ekonomik;

duke përcaktuar kështu sanksione të vëna nga një organ që është në varësi të ekzekutivit, pa asnjë mundësi dëgjimi apo mbrojtjeje, sanksione dhe kufizime këto që Kodi i Procedurës Penale ia njeh si prerogativë vetëm prokurorisë dhe gjykatës, cenojnë drejtpërdrejtë edhe nenin 42 të Kushtetutës.

Ligji nr. 18/2020 “Për miratimin e aktit normativ, me fuqinë e ligjit, nr. 1, datë 31.1.2020, të Këshillit të Ministrave, ‘Për masat parandaluese në kuadër të forcimit të luftës kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve të rënda dhe konsolidimit të rendit e sigurisë publike””, të ndryshuar’”, bie ndesh me nenin 135, paragrafi 2, nenin 148/2 dhe nenin 149/ç të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Neni 8 i aktit normativ nr. 1, miratuar me ligjin nr. 18/2020, parashikon ngritjen e Komiteti Kombëtar të Koordinimit për Parandalimin dhe Luftën Kundër Krimit të Organizuar. Parashikimi i pjesëmarrjes në të edhe i Prokurorit të Përgjithshëm dhe drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, jo vetëm që nuk përputhet me funksionet kushtetuese dhe ligjore të tyre, por cenon pavarësinë dhe paanësinë e tyre në kryerjen e detyrës. Ajo është një “gllabërim” institucional nga ana e pushtetit ekzekutiv i tagrave që i janë dhënë në mënyrë eksplicite organit të akuzës si një organ i mirëlarguar/distancuar nga pushtetit ekzekutiv

Madje, ky parashikim bie forcërisht ndesh edhe me vetë frymën e mishëruar nga legjislacioni i hartuar në kuadër të reformës në drejtësi për një prokurori të pavarur, kontrollin e veprimtarisë së cilës Kushtetuta ua ka njohur vetëm organeve kushtetuese të pavaruara.

Pjesëmarrja e drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në këtë Komitet nuk duhet të parashikohet në kompetencat e këtij organi. Kjo pasi, minon haptazi pozitën e tij për ushtrimin e ndjekjes penale. Qenia pjesë e këtij Komiteti-  mekanizmi ligjor të pushtetit ekzekutiv, e vendos atë në pozitë aspak të favorshme për ushtrimin e funksioneve kushetutese të ndjekjes penale, kur subjekte të hetimit apo persona në ndjekje e sipër prej strukturës në varësi të tij, mund të jenë edhe vetë anëtarët e Këshillit të Ministrave, sipas nenit 135, paragrafi 2 i Kushtetutës pjesë e këtij komiteti.

Sipas nenit 135, paragrafi 2, nenit 148/2 dhe nenit 149/ç të Kushtetutës, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk mundet të kryejë si pjesë e Komitetit detyrat që përcakton neni 8, pika 3, e aktit normativ dhe konkretisht:

– ndjekjen dhe zbatimin e politikave dhe harton planin e masave për bashkërendimin e veprimeve për të parandaluar dhe goditur/luftuar krimin e organizuar, terrorizmin;

–  vlerësimin e ecurisë së zbatimit të masave parandaluese të dhëna apo të aplikuara në zbatim të këtij akti normativ;

–  koordinimin, dhënien e mendimeve si dhe orientimeve në lidhje me ndjekjen e praktikave më të mira në lidhje me procedurat e zbatimit të masave parandaluese;

– si dhe për çështje të tjera që lidhen me bashkëpunimin ndërinstitucional në kuadër të angazhimit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Ky lloj angazhimi nën drejtimin e ministrit të Brendshëm, dhe të qenit raportues përpara Këshillit të Ministrave, do të cenonte shumë në dukje pavarësinë e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, dhe rrjedhimisht, edhe të organit që ai përfaqëson, e do ta bënte atë të dukej si një vartës i ekzekutivit apo një strukturë zgjatuese e saj.

Eshtë detyrim i Kuvendit që pasi të ketë vlerësuar nevojën për përmirësimin e  legjislacionit në fuqi, t`i realizojë ndyshimet përmes procedurës që dikton Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, dhe jo duke miratuar akte noramtive me fuqinë e ligjit të nxjerra nga Këshilli i Ministrave, që nuk përmbushin kërkesat e nevojës dhe urgjencës, por mbi të gjitha, prekin pjesë të rëndësishme të legjislacionit të miratuar me shumicë të cilësuar, duke mbivendosur organet dhe kompetencat e tyre.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!