Pagat e futbollistëve problemi më i madh, si mendojnë ta zgjidhin në Itali

schedule11:12 - 25 Mars, 2020

schedule 11:12 - 25 Mars, 2020

Serie A do të humbë shumë nda ndalimi i futbollit. Është folur për një shifër të frikshme, 700 milion euro. Një dëm i madh për këtë sport në vendin fqinj, ndërkohë që pasoja të rënda në aspektin financiar do të ketë në shumë shtete. Në Itali ditë më parë u raportua se u është kërkuar futbollistëve të heqin dorë nga pagat.

Gazzetta dello Sport shkruan së fundmi se po diskutohet mes Ligës Italiane dhe Federatës Italiane të Futbollit. Duhet gjetur një zgjidhje, sigurisht edhe me Sindikatën e Futbollistëve. Vullneti është për ta gjetur një të mesme të artë dhe që dje bisedimet kanë nisur. Shifra që klubet italiane paguajnë për paga është e konsiderueshme.

1.3 miliard euro shkojnë për pagat dhe për momentin ka dy zgjidhje në tavolinë. Njëra është më e dhimbshmja për futbollistët, që nuk do të paguheshin për këtë periudhë që nuk stërviten dhe luajnë. Sigurisht nuk është faji i tyre për këtë situatë, por edhe ata me shumë mundësi e kuptojnë edhe pozicionin e klubeve, që si çdo biznes tjetër është përfshirë në një krizë totale.

Zgjidhja tjetër është duke e reduktuar pagën në mënyrë proporcionale. Reduktimi do të shkojë deri në 30%, për ata që marrin më shumë. Për ata që përfitojnë deri në 100 mijë euro reduktimi do të jetë më i vogël, për t’u rritur disi për ata që kapin shifrën 500 mijë euro dhe për të kaluar më pas tek ata që marrin më shumë se 1 milion euro.

Sigurisht edhe shteti do të luajë rolin e vet dhe të miratojë një ligj, që njeh papunësinë e pjesshme. Kështu e ka Franca, por synimi është që e gjithë kjo situatë të zgjidhet përmes një marrëveshje mes futbollistëve dhe klubeve, që do të shmangte gjyqet në të ardhmen. /abcnews.al