Trajneri i Shqipëri U-19, Nevil Dede, bëri një lidhje Skype me emisionin Studio Sprint në ABC News, që modelohet nga Gerti Çarçani. Dede iu përgjigj disa pyetjeve, si dhe dha një ide se si mund të veprohet me moshat e moshuara.
“Jeta e tillë qenka, ajo shprehja “Gjithmonë ka një herë të parë”, mundohemi që ne të jemi pozitivë, optimistë, dhe të mos shohim vetëm gjërat negative. Jo gjithçka e keqe vjen për keq, ka dhe gjëra të mira brenda, i bën njerëzit të reflektojnë dhe të shohin pozitivisht për të ardhmen.
Të jem i sinqertë, çdo njeri brenda vetes së tij mendon që të stërvitet, mendon që të bëjë diçka, të merret me diçka që të shtyjë kohën, por jo ta vrasë: T’i shërbejë vetes dhe komunitetit ku bën pjesë. Kjo nis me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe kjo është shumë e goditur. Kur e dëgjova për herë të parë idenë, unë thashë sa mirë. Është një gjetje e arrirë dhe mendoj se bën mirë. Federata po mendon për të gjithë, për sportistët, për fëmijët, që merren me futboll, e deri tek arbitrat.
Është e specifikuar dhe kanë bërë mirë, me pak fjalë kjo është diçka shumë pozitive për të gjithë, jo vetëm për sportistët, por dhe për njerëzit e thjeshtë dhe për fëmijët. Fëmijët e shohin më ndryshe, edhe si lojë, por çdo gjë të bezdis kur ti e di që ka një perimetër të kufizuar, ku ata do të rrotullohen. Dietat? Kur ti djeg pak kalori, duhet të marrësh pak. Tani kjo “pak”, përcaktohet nga përbërës ushqimorë që të përkthehen shpejt në energji dhe të shndërrohen në dhjamë. Me pak fjalë, të mos konsumojnë shumë njerëzit që duan të ruajnë formën fizike. Është si puna e një depozite: Kur e mbush shumë, fillon e derdhet…
Çdo njeri, në logjikën e tij, ka të drejtë. Por po ta mendosh, të gjithë do të jenë në këtë gjendje. Çdo sportist do të jetë në 50% dhe është për të gjithë kështu. Ne po e pranojmë realitetin, po sillemi në mënyrën e duhur, po dëgjojmë këshillat që po na japin. Pasi të normalizohet situata, unë jam i mendimit që nuk na duhen shumë filozofi shumë të mëdha. Të jemi të thjeshtë dhe ta pranojmë realitetin.
Ka shumë gjëra që duhen përcaktuar dhe specifikuar. Por gjithsesi, në fund fare e rëndësishme është që gjithçka të shkojë mirë. Duhet t’i kthehemi normalitetit dhe të bëjmë atë që duam më shumë. Mbi të gjitha, të jemi të gjithë bashkë dhe të vazhdojmë jetën më të fortë dhe më të lumtur. Ne kemi kontakte të vazhdueshme me futbollistët tanë. Jo vetëm ne, ne jemi disa figura që bëjmë pjesë në FSHF. Pastaj, secili nga lojtarët tanë, bën pjesën e tij dhe të gjithë bashkë, të bëjmë gjënë më të bukur. Dua të falënderoj të gjitha, nga mjekët, gazetarët, forcat e rendit, të gjithë. Çdo njeri që i shërben popullit. Është shumë e rëndësishme që të ndihmojmë gjyshërit tanë, të mos i lëmë në shtëpi, por dhe ata të jenë pjesë e jetës sonë. I duam shumë dhe i përqafojmë. Kjo është vetëm një ide e imja, nuk e di sa do të arrihet”, tha Dede./abcnews.al