Javier Zanetti ka folur hapur rreth së ardhmes së Lautaro Martinez. Argjentinasi është kthyer në një lojtar të rëndësishëm të skuadrës së Contes, teksa mediat e ndryshme janë të bindura për largimin e tij në fund të sezonit.
Barcelona është gati të paguajë klauzolën prej 111 milion eurosh të sulmuesit, por ish-kapiteni legjendar i zikaltërve qetëson tifozët. Zanetti flet edhe për gjendjen e krijuar nga koronavirusi në një prononcim për Radio Continental.
“Nga lojtarët që kanë dalë së fundmi, Lautaro është padyshim një nga më të mirët. Është vetëm 22 vjeç, por po bën gjëra të jashtëzakonshme me Interin dhe Argjetinën. Jemi të lumtur me të, edhe ai është i lumtur me ne. Të ardhmen e tij e shoh në Itali.
Koronavirusi? Është përhapur edhe në Argjentinë, por shpresoj që të mos krijohet një situtatë si kjo në Itali. Në Milano nuk mjaftojnë spitalet. Mjekët po bëjnë sakrifica të mëdha, por askush nuk i priste numra të tillë të sëmurësh. Po mundohemi të ndihmojmë, duke treguar ndjeshmëri dhe solidaritet.
Inter ka vendosur disa masa për të trajtuar këtë emergjencë, shpresojmë të gjejmë një zgjidhje së shpejti. Për shembull, futbollistët ndjekin një program të krijuar nga një nutricionist dhe ushqimin ua dërgojmë në shtëpitë e tyre“, deklaron zëvendës presidenti i Interit. /abcneës.al