Sherrxhiu dembel me diplomë juristi, karriera e pabesueshme e Hleb merr fund

schedule21:57 - 15 Mars, 2020

schedule 21:57 - 15 Mars, 2020

Aleksandr Hleb ka vendosur të tërhiqet nga futbolli në moshën 38-vjeçare. Ylli bjellorus provoi të luante për shumë skuadra në karrierën e gjatë, të karakterizuar nga veprime gjeniu, dembelizëm, çmendurira dhe shumë dëmtime. Ai u aktivizua me 11 ekipe të ndryshme, luajti rreth 700 ndeshje, në të cilat shënoi diçka më pak se 50 gola. I diplomuar për juridik, një finale Champions League e luajtur dhe humbur me Arsenal, një e kaluar si gjimnast dhe dy martesa.

Të gjithë kërkonin golin, unë preferoja të jepja asist”, përshkruan Hleb vetveten. Ka provuar të luajë me Barcelonën përpara 100 mijë personave në “Camp Nou”, ndërsa tani e mbylli me Isloch, skuadrën bjelloruse që ka një stadium prej 3 mijë tifozësh. Shpërthimi ndodhi te Bate Borisov, i njohur u bë te Stuttgart, aty ku u transferua në moshën 19-vjeçare bashkë me vëllanë e tij.

Hleb vs Xabi Alonso, në një ndeshje Bjellorusi-Spanjë

Fillimi ishte i tmerrshëm dhe shumë i vështirë. Mos të ishte për Vyacheslav, do të kthehej në Bjellorusi. “Gjermania ishte një vend shumë i madh për mua, për ne. Ndonjëherë qaja fshehurazi, vëllai më jepte forcë për të vazhduar përpara. Ushqehesha çdo drekë me McDonald’s”, tregon fantazisti. 175 ndeshje, 19 gola dhe një vend i dytë në Bundesligë me skuadrën që drejtohej nga njëfarë Felix Magath.

Në vitin 2005 erdhi transferimi tek Arsenal, aty ku zhvilloi 89 ndeshje në tre sezone. Arsene Wenger, i cili e adhuronte Hleb si lojtar, ishte si një baba për të. “Për një person si Wenger, do të luaja futboll derisa të vdisja. Edhe sot nuk e kuptoj pse u largova nga Arsenali, por ishte Barcelona, më kuptoni?” Hleb kaloi në Camp Nou përkrah emrave si Ronaldinho, Eto’o dhe Henry. Francezi nuk e lejoi të jetonte më në hotel pas katër muajsh dhe e mori në shtëpinë e tij ish-shokun e skuadrës tek Arsenal.

Hleb duke festuar një gol të shënuar me Arsenal

Aventura në Spanjë u mbylla pas asnjë gol, me disa sherre me Pep Guardiolën dhe një tripletë të fituar jo si protagonist. “Guardiola nuk është trajneri më i mirë, preferoj Mourinhon”, deklaron Aleksandr. Portugezi e kërkoi tek Interi në vitin 2009, por bjellorusi nuk pranoi. Ibrahimovic shkoi te Barcelona, Eto’o u vesh zikaltër dhe Hleb u rikthye te Stuttgart.

Gjatë një debati me Pep Guardiolën

Interi fitoi tripletën atë vit, më shkon shpesh ndërmend diçka e tillë”. Rikthimi te skuadra ku shpërtheu ishte emocionues, por vetëm kaq. “Në aeroport kishin dalë për të më pritur presidenti, trajneri dhe tifozë. Nuk mund t’i refuzoja, firmosa kontratën dhe ky ishte gabimi më i madh i karrierës time”, kujton lojtari i talentuar momentin që karriera e tij mori për poshtë.

Sezoni shkoi keq, vitin pasardhës erdhi huazimi te Birmingham dhe Wolfsburg. Më pas Krylia në Rusi, rikthimi te Bate Borisov dhe aventurat turke. “Trajnerët turq janë idiotë. Në tre vite u hasa vetëm me taktikë dhe vrapime. Nuk luanim pothuajse fare me topin në stërvitje. Merrja shpesh avionin për në Bjellorusi. Mund të shkoja kur të doja në shtëpi”, zbulon lojtari lindor.

Arsenali magjik përpara finales së Champions kundër Barcelonës (2006)

Në fund pengu i madh dhe pasardhësit e tij, të cilët nuk kanë lindur ende. “Do të bëhet një film-dokumentar për jetën time. Nuk arrij ende ta kuptoj si e humbëm finalen e Champions League të vitit 2006 kundër Barcelonës (1-2). Pasardhësi? Nuk shoh asnjë të tillë, më vjen të qaj nga ky fakt”, përfundon Aleksandr Hleb, gjeniu dhe futbollisti më i madh i ardhur nga Bjellorusia, fanellën e së cilës e mbajti veshur plot 81 herë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!