Aventura e Agim Sopit në stolin e Feronikelit nuk zgjati shumë dhe kampionët në fuqi të Kosovës kanë zgjedhur trajnerin e ri. I përzgjedhuri është Afrim Tovërlani, një ndër trajnerët më fitues në futbollin dardan. 53-vjeçari është një njohje e vjetër në Drenas, pasi drejtoi Feronikelin gjatë viteve 2015-2017.
Tovërlani e shpalli skuadrën kampione në sezonin e 2015-2016, teksa aventurën e tij e nisi me fitimin e Kupës. Klubi ka zyrtarizuar rikthimin e tij në pankinë me anë të një deklarate në rrjetet sociale, duke i uruar fat në këtë aventurë.
I njohur nga të gjithë si Toki, trajneri nga kryeqyteti ka fituar titullin kampion edhe tre herë me Prishtinën. Feronikeli po kalon një moment të vështirë dhe renditet në vend të pestë me 31 pikë. Skuadra është larg objektivave dhe diferenca me vendin që të dërgon në Europë është 1o pikë. Shpresa e madhe është Digitalb Kupa e Kosovës, aty ku Feronikeli do të përballet me Ballkanin për një biletë në finalen e madhe. /abcnews.al