Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata kërkoi publikisht nga prokuroria dhe policia që të bëjnë publike emrin e zyrtarit të lartë të Sistemit të Drejtësisë që është përgjuar me botuesin Henri Çili duke biseduar për shqyrtimin me prioritet të tre personave të dënuar për vrasje.
Në fjalën e tij, Gjata përmendi dy emra, të cilët sipas tij janë funksionarë të lartë në Sistemin e Drejtësisë, që mund të jenë personazhe të përgjimit.
“Ka dy funksionarë të lartë që kanë lidhje me Gjykatën e Lartë. I pari është Ardian Dvorani, kreu i Gjykatës së Lartë dhe KED dhe Sokol Sadushi, kandidati pa rival për kreun e Gjykatës së Lartë”, tha Gjata duke shtruar pyetjen se përse policia ndërhyri para se të bëhej takimi i dytë i zyrtarit të lart në Sistemin e Drejtësisë me Henri Çilin për të zgjidhur çështjen në Gjykatën e Lartë të tre të dënuarëve për vrasje.
“Policia dhe prokuroria kanë detyrimin të informojnë opinionin publik se kush është zyrtari i lartë. Pse po mbahet i fshehtë emri i tij?”, tha Gjata.
Gjatë ditës së djeshme policia arrestoi një grup të madh personash, mes të cilëve ishte edhe botuesi Henri Çili. Prokuroria thekson në dosjen, të cilën e ka siguruar abcnews.al, se Çili është përgjuar me “një zyrtar të lartë ët Sistemit të Drejtësisë për të lehtësuar rekursin në Gjykatën e Lartë të tre personave të dënuar për vrasje”. Bëhet fjalë për vëllezërit Alban dhe Arbjon Aliko si edhe Feti Yezeiraj.
Në dosje nuk thuhet se kush është ky zyrtar i lartë. /abcnews.al