Interi do të luajë sfidën e parë në Bullgari përballë Ludugorets ditën e nesërme (18:55), duel për llogari të Europa League. Antonio Conte analizon kundërshtarin në konferencën për shtyp, ndalet te mungesat e Brozovic dhe Skriniar dhe i rikthehet humbjes me Lazion në kampionat.
KUNDËRSHTARI – “Ludugorets është një skuadër e mësuar me kompeticionet europiane dhe në kampionat ka një diferencë të madhe me rivalët. Janë një skuadër e mirë me individualitete. Duhet të luajmë me dëshirën e duhur për të dhënë më të mirën, duke e ditur që do të përballemi me një skuadër në rritje. Kanë fituar 6-0 ndeshjen e fundit në kampionat, duhet të jemi të kujdesshëm”.
MUNGESAT – “Brozovic vazhdon të ketë një problem në kavilje, ky është shkaku pse ka qëndruar në Milano. Sa i përket Skriniar, mendova se më e mira ishte që ta lija në shtëpi për t’u rikuperuar më mirë”.
LAZIO – “Na djeg ajo humbje ndaj një prej skuadrave më në formë në Serie A. Nuk është se luajtëm keq, dy golat që pësuam ua dhuruam vetë, na vjen keq për rezultatin. Duhet të rinisemi me bindjen e duhur”. /abcnews.al