Mesfushori i Arsenal, Matteo Guendouzi, nuk ishte grumbulluar ditën e djeshme në sfidën kundër Newcastle. Të besuarit e Mikel Artetës arritën një fitore të thellë në shtëpi, me rezultatin 4-0. Sigurisht ra në sy mungesa e të riut, pasi përpara pushimeve dimërore ai ka qenë një titullar i padiskutueshëm.
Ditën e sotme mediat angleze kanë mësuar dhe arsyen e lënies jashtë të mesfushorit nga Arteta. Sipas disa informacione 20-vjeçari dhe trajneri spanjoll kanë pasur një konflikt në kampin që Arsenal zhvilloi në Dubai. Zënka mes tyre filloi në një nga seancat stërvitore dhe ka vazhduar dhe në hotelin, ku “Topçinjtë” ishin akomoduar.
Guendouzi ka ngritur zërin dhe me disa pjesëtarë të stafit dhe kjo gjë nuk i ka pëlquer aspak Artetës. Dhe lënia jashtë sipas mediave është si një dënim për mesfushorin. Nuk dihet nëse kjo masë do të vazhdojë dhe në ndeshjen e radhës, por kjo mesa duket varet nëse i riu do të kërkojë falje apo jo. /abcnews.al