Lazio-Inter është supersfida e kësaj javë në Serie A. Dueli zhvillohet nesër në “Olimpico” (20:45) dhe Antonio Conte nuk i kursen elozhet për bardhekaltrit. Trajneri i Interit analizon përballjen dhe vlerëson forcën e rritjen e skuadrës kundërshtare.
LAZIO – “Do të jetë një ndeshje e vështirësisë së lartë. Lazio është tashmë një skuadër e konsoliduar, kanë fituar Kupën e Italisë dhe Superkupën, po imponohen me trofe dhe po ia dalin të mbajnë lojtarët më të fortë. Inzaghi po bën një punë të shkëlqyer prej vitesh. Do të përballen dy ekipe jo favorite. Do të luajmë me një skuadër shumë të fortë, që përforcohen nga viti në vit falë punës së trajnerit, presidentit dhe drejtorit sportiv.
Igli Tare ka kryer një punë të shkëlqyer. Nuk është e lehtë të fitosh, sidomos në Itali. Vitet e fundit ka fituar vetëm një skuadër, njësoj si Bayern në Gjermani dhe PSG në Francë. Nderime Lazios që ka dërguar në shtëpi trofe dhe ka qenë thelbësore mbajtja e lojtarëve më të mirë. Luajnë me të njëjtin modul si ne, edhe ata përdorin dy sulmues. Bazohen shumë te fiziku i Milinkovic-Savic. Uroj të bëhet një ndeshje e bukur, le të fitojë më i miri”.
ERIKSEN – “Po punon me ne dhe po kupton gjithnjë e më shumë se çfarë kërkojmë prej tij. Nuk kisha aktivizuar kurrë më parë kaq shpejt një lojtar të ardhur nga merkato. E drejtë që në Udine vuajti, por do të ketë mundësi për t’u përmirësuar”.
LAUTARO – “Është i ri, por ka mjaft kokë mbi supe për të kuptuar zërat e merkatos. Lojtarët janë të përqendruar në fushën e blertë, llafet e tjera nuk kanë vlerë”. /abcnews.al