Juventusi pret nesër Brescian në shtëpi dhe do të tentojë rikthimin te fitorja. Ndeshjet e fundit të bardhezinjve nuk kanë qenë aspak pozitive, teksa gara për titull po egërsohet. Maurizio Sarri prek disa tema gjatë konferencës për shtyp dhe ka një përgjigje për Jurgen Klopp, i cili cilësoi bardhezinjtë si favoritët kryesorë për fitimin e Champions League këtë sezon.
TITULLI – “Ishte e qartë prej fillimit se ky do të ishte një kampionat ndryshe nga të kaluarit. Duhet të gjejmë stimuj për të luftuar për titullin, do të jetë një garë emocionuese deri në fund. Rezultati i ndeshjes Lazio-Inter nuk do të jetë vendimtar, rrugëtimi është ende i gjatë. Duhet të mbledhim sa më shumë pikë dhe të zgjidhim problemet tona. Duhet të tregohemi më agresivë dhe të rrisim intensitetin në repartin defensiv“.
KUPA – “Kundër Milanit bëmë hapa përpara në krahasim me ndeshjen ndaj Veronës. Le të themi që bëmë mirë në 70 metra, por sulmuesit u braktisën në fatin e tyre. Nuk është e vërtetë që roli i ‘trekuartistit’ nuk më bind, varet nga situatat dhe kundërshtarët”.
KLOPP – “Përveçse tha që jemi favoritët kryesorë për fitimin e Champions League, u shpreh edhe që nuk e ndjek futbollin italian. Jurgen është një tip shumë simpatik, po tenton të heqë presionin duke mos e llogaritur si favorit Liverpoolin”.
BRESCIA – “Janë një skuadër që kanë tentuar gjithmonë për të luajtur futboll, pavarësisht situatës në renditje. Nuk do të jetë një ndeshje e thjeshtë. Në këtë kampionat nuk ka ndeshje të lehta”. /abcnews.al