Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar sot në takim Presidentin Hashim Thaçi. Me anë të një letre zyrtare, që ka nisur Kurti thuhet se ftesa është bërë për të bashkërenduar qëndrimet për politikën e jashtme, para udhëtimit në Konferencën për Siguri në Munih të Gjermanisë.
Sipas Kurtit politika e jashtme është ajo që do të duhet t’i bashkojë me Presidentin. Ai ka kërkuar nga Thaçi që të takohen sot, ndërsa i ka lënë disa orare kur mund të takohen.
“Politika e Jashtme është ajo që do të duhej të na bashkojë. Prezantimi sa më i denjë i Republikës sonë e tejkalon secilin prej nesh. Le ta japim tere kapacitetin tone intelektual e patriotik ne prezantimet e takimet qe do t’i bëjmë. Ju ftoj për sot në orën 12:00, 16:00 ose 17:30 apo edhe ne mbrëmje që te takohemi e te dakordohemi se bashku për temat e për qëndrimet tona”, ka shkruar Kurti.
Kujtojmë se Kurti dhe Thaçi nuk kanë pasur raporte të mira, madje gjatë kohës që ishte në opozitë kryeministri aktual ka deklaruar se do shqyrtojë mundësinë për ta shkarkuar Presidentin./abcnews.al


