Milani zhvilloi një pjesë të parë madhështore në derbin e mbrëmjes së kaluar, por zikaltrit u ringjallën në pjesën e dytë, shënuan 4 gola, përmbysen disavantazhin e dyfishtë dhe siguruan një fitore shumë të rëndësishme.
Zlatan Ibrahimovic dhuroi asistin e golit të Rebic dhe shënoi me kokë më pas. Pjesa e dytë ishte për t’u harruar dhe bomberi 38-vjeçar ka folur shkurt pas disfatës me Interin e Antonio Contes.
“Tani do shkoj në shtëpi, do pushoj mirë dhe nesër do rinisemi sërish, duke filluar nga ndeshja e së enjtes kundër Juventusit. Interi për titull? Jo“, është shprehur shkurt dhe qartë sulmuesi suedez i kuqezinjve. Milan luan sërish në “San Siro” në mesjavë për ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Italisë kundër bardhezinjve të Sarrit. /abcnews.al